Shkruan: indeks.mk
Mickoski është një politikan i sinqertë! Atë që i fle në zemër, e thotë haptas. Për këtë duhet t’i themi “pirolla të qoftë”! Pirolla, edhe kur njeriu vetë duhet të turpërohet nga qëndrimet që bota normale do të skuqej.
Që e thotë se është kundër “Qeverisë teknike”, nuk duket ndonjë gjë e madhe, sepse, është çështje percepcioni dhe vlerësimi politik nëse vendit i duhet një qeveri e tillë. Ajo si model ka lindur si rezultat I mosbesimit të ndërsjellë midis partive politike nga ciklet e mëparshme zgjedhore. Mirëpo, ajo që e bën specifik qëndrimin e Mickoskit, është argumentimi i tijnë intervistën për Kanal 5: “Nuk shoh më shumë nevojë për Qeveri teknike, për shumë arsye. E para, për mua, si qytetar, si politikan është nënçmuese që partia e cila kohës së fundit është në qendër të skandaleve, dhe ajo është që Bashkimi Demokratik për Integrim të propozojë kryeministër. Nuk e di se çfarë cilësie mund të sjellë ai
kryeministër dhe të shtojë vlerë…?”
Në shikim të parë, duket “e motivuar” me arsye parimore, që në vlugun e përplasjeve politike me BDI-në, t’i mveshësh asaj akuza për të cilat duhet të kesh argumente të forta. Në këtë pluralizmin tonë s’është diçka e panjohur, kush kujt i kujtohet i mveshë diçka. Por a nuk qëndron pas kësaj një qëllim tjetër, ai që Mickoski e ka vështirë ta kapërdijë faktin e udhëheqjes së qeverisë nga një shqiptar?
Duket se këtu dhe fshihet lepuri. Të mbështjella me “oblandën” e gjoja skandaleve të BDI-së, Mickoski tregon qëllimin e tij të vërtetë që buron nga brenda “matricës” ideologjike të tij të paçliruar nga animoziteti dhe paragjykimi. Ai ende është rob i mendësisë se sa më shumë që të jesh kundër çdo gjëje shqiptare, më kollaj kalon në zgjedhje!
Përveçse faktit se me qëndrimet e veta në intervistën e fundit direkt ose indirekt është kundër që një shqiptar ta udhëheqë qeverinë(fundja, BDI-ja nuk ka thënë se domosdo do të jetë nga radhët e veta, bile u spekulua se mund të jetë nga ASH-ja), është ironik se qëndrimet për gjoja skandalet e BDI-së vijnë nga partia që është e njohur si kampione e skandaleve financiare me qindra miliona, e ndoshta dhe miliarda në dëm të arkës së shtetit!!!
Kujt i shet moral Mickoski, i cili nuk ka pasur forcë që të distancohet prej këtyre skandaleve të bashkëpartiakëve të vet, por këtë e ka trajtuar si përndjekje politike?!