Si e nisi, e bitisi mandatin e suksesshëm: Talat Xhaferi me raport pune në nivel monografik!

Shkup, 24 janar/indeks.mk

-Sot kryetari Kuvendit, Talat Xhafari, në fund të mandatit të kryetarit të Kuvendit ,në një brifing  rasti, ua shpërndau gazetarëve raportin për mandatin e tij katërvjeçar. Por, ai nuk është një raport i rëndomtë i shkruar në letër për ta shqyrtuar kolegët e tij deputetë, por është më shumë se aq: një monografi me plot kuptimin e fjalës!

Sepse, është fjala për botim libresk në 256 faqe dhe me qindra fotografi që kapin të gjitha aktivitetet e kryetarit të Kuvendit që nga gushti 2020 e deri në janar të këtij viti, kur e dorëzon mandatin, për të marrë një detyrë të re me përgjegjësi të lartë, atë të kryeministrit.

Raporti monografik në tri gjuhë, shqip, maqedonisht dhe anglisht, mban autorësinë e shërbimeve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe është i ndarë në këta kapituj: Biografia e Talat Xhaferit, Hyrje, “Top 100 në dy mandate”, “Aktivitetet e jashtme politike bilaterale…”, “Aktivitetet e jashtme politike multilaterale”, “Aktivitete tjera…”,  dhe “Mandati në numra”.

Botimi me të dhëna të mbledhura në mënyrë pedante ndër vite, është i cilësisë së lartë grafike, që në veçanti e bëjnë tërheqës fotografitë në ngjyra nga takimet, vizitat dhe aktivitetet tjera të Kryetarit të Kuvendit, e ndër to, gjithsesi, si fakt dhe si dëshmi edhe përmes fotografive, është edhe vizita Kievit në vlugun më të madh të agresionit rus në Ukrainë, duke qenë burrështetasi i parë që e bëri këtë.

Kur jemi te ky botim, që të mos mbetet pa ndonjë vërejtje, e konsiderojmë si lëshim që nën fotografitë që kanë vlerë dokumentare, mungojnë shënimet plotësuese, që do të mbeteshin si dëshmi për ngjarjet dhe personalitet.