Lladrovci përgëzon Talat Xhaferin: Po jetësohet arritja historike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

Me rastin e emërimit të Talat Xhaferit në krye të Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, kryetari i komunës së Drenasit, e ka përgëzuar duke cekur se “kjo arritje historike e shqiptarëve po jetësohet me emërimin Tuaj, në krye të Qeverisë”.

Lladrovci ka shkruar në fund të urimit: “Suksese miku im, urime qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, urime BDI-së dhe në veçanti vëllait tim, Ali Ahmetit i cili premtimet i bën vepra”.

Postimi i plotë:

Miku im Talat,

Sot, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, po përmbushin një kapitull të munguar, si kontributdhënës dhe shtetndërtues, duke marrë mandatin e Kryeministrit.

Askush më mire se Ju, miku im Talat, nuk e njeh përpjekjen e shqiptarëve për barazi dhe shtet ligjor, angazhimin e shqiptarëve për demokraci dhe shanse e mundësi të barabarta. Kjo arritje historike e shqiptarëve po jetësohet me emërimin Tuaj, në krye të Qeverisë.

Angazhimi shekullor i shqiptarëve, po trupëzohet në një post që disa edhe e quajnë të përkohshëm, por, për neve që çmojmë punën Tuaj dhe të liderit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmetit, ky është emërim me meritë dhe punës së pandalshme për unitet qytetar.

Miku im Talat,

Çdo orë e minutë e qëndrimit Tuaj në krye të Qeverisë së Maqedonisë, le të jetë shembull i përkushtimit për institucionalistët atdhetarë, të zbatimit të barazisë para ligjit dhe le të jetë dëshmi e shekullit që po jetojmë, me tre kryeministra shqiptarë, që promovojnë paqen, solidaritetin dhe barazinë në rajon dhe më gjerë.

Suksese miku im, urime qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, urime BDI-së dhe në veçanti vëllait tim, Ali Ahmetit i cili premtimet i bën vepra!