Putin regjistrohet si kandidat për zgjedhjet presidenciale në Rusi

Presidenti aktual i Rusisë, Vladimir Putin, është regjistruar zyrtarisht si kandidat për zgjedhjet e reja presidenciale, që do të mbahen më 17 mars. Putin, i cili do të garojë si kandidat i pavarur, ka të drejtë të kërkojë mandatin e pestë presidencial, falë ndryshimeve kushtetuese që i lejojnë të qëndrojë në pushtet edhe për dy mandate të tjera. Putin u zgjodh për herë të parë president i Rusisë në vitin 2000.

Për t’u regjistruar si kandidat, Putin duhej të mblidhte të paktën 300.000 nënshkrime nga votuesit rusë nga rajone të ndryshme të vendit. Nga nënshkrimet e dorëzuara, vetëm 0.15 për qind u shpallën të pavlefshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi. Megjithatë, procesi i mbledhjes së nënshkrimeve për Putinin u shoqërua me disa shkelje të ligjit. Në Shën Petersburg, anëtarët e komisionit të zonës u akuzuan se kishin marrë pjesë në mbledhjen e nënshkrimeve, çka është e ndaluar.

Putin është kandidati i katërt që është regjistruar për zgjedhjet presidenciale, pas Vladislav Davankovit nga partia Populli i Ri, Nikolai Kharitonovit nga Partia Komuniste dhe Leonid Slutskyit nga Partia Liberale Demokratike. Në total, 11 kandidatë kanë shprehur interesim për të garuar në zgjedhje dhe kanë afat deri më 31 janar për të mbledhur nënshkrimet e nevojshme. (politiko.mk)