Në Parlamentin Evropian në Strasbourg është mbajtur akademia përkujtimore ndërkombëtare për presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ne nderim te 80 vjetorit të lindjes dhe 18 vjetorit të vdekjes së tij.
Në komunikatën e lëshuar për media nga këshilli organizativ thuhet se “kjo ngjarje shënon përkujtimin e parë ndërkombëtar në kupolën e demokracisë evropiane, pra në ambiente të Parlamentit Evropian. Dr. Rugova, si themeluesi i Republikës së Kosovës, u nderua me Çmimin Sakharov në vitin 1998 nga Parlamenti Evropian. Vizioni i tij për shtetin e Kosovës mbetet rruga më e sigurt e zhvillimit tonë si republika më e re e Evropës.
Me një fjalë rasti të pranishmëve do t’iu drejtohet Eurodeputeti Lukal Mandl, njëherësh nikoqir kryesor i kësaj ngjarje, bashkë edhe me Raportuesën për Kosovën Viola Von Cramon, si dhe Shefin e Grupin për Ballkanin Perëndimor, Franz Romero.
Po ashtu, një fjalim rreth figurës së Dr. Rugovës do e paraqes Don Lush Gjergji, kurse me fjalimet e tyre Akademinë do e nderojnë edhe ish-Presidenti i Kroacisë Stipe Mesic, ish-Kryeadministratori i Kosovës Joachim Ruecker, si dhe ish-Eurodeputetja Doris Pack.
Një fjalë përshëndetëse do ta ketë edhe ish-Kryeministri i Kosovës në kohën e Presidentit Rugova, Ramush Haradinaj, si dhe Dr. Ekrem Hyseni nga LDK”.
“Të nderojmë personalitetin e Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Rugova, është të nderojmë vizionin mbi të cilin u ndërtua shteti i Kosovës. Presidenti Rugova dhe vizioni i tij shtetndërtues, i mbështjellur me vlerat euroatlantike, dhe me thelb miqësinë unike dhe permanente me SHBA-të, mbeten rruga e vetme për zhvillim të mëtutjeshëm të Kosovës,” ka thënë Dr. Bislimi, bashkëkryesues i Këshillit Organizativ të kësaj Akademie në Parlamentin Evropian.
“Neve jemi më shumë se krenar sot. Kjo është një ditë historike për një ngjarje historike, në një vend historik, për një figure historike të shqiptarëve,” ka shtuar ai./Telegrafi/