Brahim Diaz ishte hero i Real Madridit mbrëmë.
Goli i tij i bukur ia mundësoi skuadrës së Carlo Ancelottit që ta mposht Leipzigun në ndeshjen e parë të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve.
Një gol i jashtëzakonshëm pas një aksioni fantastik individual, shkruan “Gazeta Express”.
Ndonëse u lëndua 10 minuta pa përfunduar takimi, ish-futbollisti i Milanit e kreu punën e tij dhe ndihet mjaft krenar dhe i lumtur që mundi ta ndihmonte ekipin.
Dhe, ai e kishte një dedikim të veçantë për “Los Blancos”.
“Jam i lumtur që jam duke luajtur në Real Madrid. Tash është Shën Valentini dhe mund të them se jam i dashuruar në këtë skuadër”, theksoi mesfushori ofanziv spanjoll.
Sa i përket lëndimit, ai theksoi se ka ndier dhimbje, por që nuk e di ende shkallën e lëndimit të tij.
Diaz ka ditur të jetë disa herë shpëtimtar i ekipit të Ancelottit në këtë edicion.
Edhe pse nuk ka mundur të bëhej pjesë e rregullt e ekipit startues, ai ka dhënë kontribut të çmueshëm. /Gazeta Express/