Më Shumë Dashuri për Veten. Xhesika Gjonaj: Pse Fizioterapia Duhet Përfshirë në Përditshmëri

Një udhëtim që mund ta nisni në çdo kohë është pa dyshim ai drejt jetesës së shëndetshme. Ushqim më i mirë, më pak stres, më shumë kohë në natyrë, më pak zakone të dëmshme dhe sigurisht më shumë aktivitet fizik. Duke praktikuar të gjitha këto këshilla duket sikur keni mbyllur një cikël i cili promvon shëndet të plotë dhe ashtu është.

Këtë stil jetese e konfirmojnë edhe ekspertë të shëndetit duke theksuar se mirëqenia nis nga të kuptuarit e trupit tuaj nga brenda – jashtë duke qenë gjithnjë aktivë. Kjo është këshilla që Fizioterapistja Xhesika Gjonaj jep për pacientët e saj prej vitesh dhe që sot po e ndan edhe për fushatën “Më Shumë Dashuri për Veten”.

Aktiviteti fizik për shumë mund të jetë një abonim në qendrat e palestrës, nisja e vrapit apo lloje të tjera sporti. E megjithatë kur bëhet fjalë për mirëqenien e plotë të trupit si jashtë ashtu dhe brenda, shpesh rekomandohet që aktiviteti fizik të ndiqet nëpërmjet një eksperi fizioterapie edhe nëse nuk keni ndonjë patologji të veçantë, ndryshe nga sa jemi mësuar zakonisht. Edhe sipas ekspertes Gjonaj, “Fizioterapia ndihmon në përmirësimin e cilësisë së jetesës në çdo kohë e moshë”. Kjo për shkak të pavarësisë që një trup i shëndetshëm ju dhuron.

Fizioterapia si mënyrë të qenurit aktiv, është pa dyshim një nga trendet më të shëndetshme që duket se ka kaluar me sukses nga pacientët dhe sportistët profesionistë edhe tek personat që kultivojnë një stil sa më të shëndetshëm jetese. Tanimë puna e një fizioterapisti kalojn përtej një diagnoze apo synimi, duke arritur në korrigjimin e difekteve të vogla të trupit të cilat mund të shkaktojnë probleme të vazhdueshme në te ardhmen, por edhe edukimin rreth të qenurit gjithnjë të shëndetshem.

Kjo zgjedhje sipas Gjonaj, nuk dëshmon patjetër praninë e problemeve të veçanta tek individët, por parandalimin e tyre dhe arrijen e një forme më të lartë shëndetësore. “Fizioterapia ju ndihmon të krijoni një program të personalizuar mbi specifikat e trupit tuaj. Duke nisur nga qëndrimi, pesha, mosha, masa muskulore apo kockat të cilat bëjnë atë që quhet një trup i shëndetshëm.”- thotë ajo.

Këto programe përfshijnë analizimin e strukturës së trupit, krijimit të një program të dedikuar të ndërthurur me ushqtrime, terapi manual dhe asistencë në përmirësimin e qëndrueshmërisë së trupit.

Megjithëse kjo kulturë e re e kujdesit për trupin nëpërmjet fizioterapisë, nuk është shumë prezente në Shqipëri ka një besim të shtuar tek këta ekspertë edhe jashtë problemeve shëndetësore. Në eksperiencën e saj Xhesika shprehet se ndër problemet që has tek personat që trajton shpesh nuk lidhen drejtpërdrejtë me fizioterapinë, por kjo e fundit mund t’i rehabilitojë. Këtu përfshihen problemet e rrugëve të frymëmarrjes, sistemit kardiovaskular dhe mushkërive si pasojë e ndotjes, jetës sedentare, konsumimit të duhanit apo alkoolit të cilët dëmtojnë organet, por edhe muskujt e kockat.

“Sistemi imunitar ulet tek këta individë duke i bërë më të prekshëm jo vetëm nga infeksionet, por edhe në sistemin muskolo-skeletor duke ulur densitetin e kockave dhe duke rritur rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve si osteroporoza apo fraktura të ndryshme.”- thotë ajo.

Të gjithë këta elementë së bashku sjellin degradimin e të gjithë organizmit ndër vite dhe programet e dedikuara që fokusojnë jo vetëm dukjen, por edhe qëndrueshmërinë, balancën dhe mirëfunksionimin e trupit, mund të jenë një nga zgjidhjet e zgjuara të së ardhmes. Trajtimet e specilizuara të fizioterapisë dhe një stil i shëndetshëm jetese ju ndihmojnë jo vetëm të ruani balancat në trupin tuaj, por edhe të eleminoni probleme të ndryshme që mund të hasni në të ardhmen.