Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot bëri një vizitë zyrtare në Manastir, një nga qytetet më të rëndësishme historike dhe kulturore të vendit. Xhaferi u takua me rektorin e Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit”, një nga universitetet më të vjetra dhe më prestigjioze në rajon.
“Sot e vizitova Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” i cili është institucion më i rëndësishëm në fushën e arsimit në Rajonin e Maqedonisë Jugperëndimore, me dhjetë fakultete, një shkollë të lartë profesionale dhe Institutin Shkencor të Duhanit, si edhe Institutin e Kulturës së Vjetër Sllave – Prilep dhe Entin e Hidrobiologjisë – Ohër, Bibliotekën Universitare „Shën Klimenti i Ohrit”. Ky Universitet mbulon disiplina shkencore të ndryshme dhe edukon profile kompatibile me kërkesat e tregut aktual botëror të punës. ”, ka thënë Xhaferi.
Ai vizitoi Fakultetin Pedagogjik, ku u njoh me programet dhe projektet e këtij fakulteti, si dhe Fakultetin e Teknologjisë Informatike dhe të Komunikimit (FTIK), ku u informua për zhvillimet e fundit në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Ai gjithashtu vizitoi Qendrën Informative Studentore, një hapësirë moderne dhe funksionale për studentët e universitetit.
“Në Qendrën për inxhinieri virtuale në kuadër të Fakultetit të TIK-ut është furnizuar pajisje e re për realitet virtual, dhe ky Universitet është universiteti i vetëm në shtetin tonë i cili ka pajisje të këtij lloji, e cila mundëson dimension të ri në mësim dhe në punën kërkimore të universitetit, si dhe produksionin e kuadrove profesionale në fushën e teknologjisë informatike”, tha Xhaferi.
Vizita e Xhaferit në Manastir ishte një shprehje e vlerësimit të qeverisë për rolin e këtij qyteti në arsimin, kulturën dhe zhvillimin e vendit. Me miratimin e Ligjit të ri për arsim sipëror, qeveria siguroi më shumë të drejta dhe mundësi për kuadrin akademik, si dhe gjithashtu ka mundësuar ngritje të standardit të studentave përmes ndarjes së bursave./Indeks.mk
https://www.facebook.com/talatxhaferi/posts/955532815944687?ref=embed_post