Qyteti bregdetar i Vlorës do të jetë një nga 13 qytetet evropiane të përcaktuara si “Qyteti Evropian i Sportit për Vitin 2024”. Ky titull pritet të ketë një ndikim të madh edhe në promovimin e qytetit, pasi do të zhvillohen shumë aktivitete sportive.
Vlora paraqiti kandidaturën e saj pranë ACES Europe dhe përpara disa ditësh në Bruksel, në Parlamentin Evropian, gjatë “Ceremonisë së Përvitshme të Shpalljes së Emërimeve për Vitin 2024” (ACES Annual GALA Awards 2024), kërkesa u pranua.
Klevis Kaso, nënkryetar i Bashkisë për sportet dhe infrastrukturën sportive, Elona Hasanaj, drejtuese e Klubit Shumësportësh “Flamurtari” dhe Tea Memushi, basketbolliste e njohur ishin përfaqësuesit që morën në dorëzim emërimin.