Trajneri i Hungarisë e vlerëson lartë Kosovën

Selektori i Hungarisë, Marco Rossi ka folur për ndeshjen e nesërme me Kombëtaren e Kosovës.

“Dardanët” vijnë nga fitorja kundër Armenisë në udhëtim dhe do të luajnë në “Puskas Arena” të Budapestit me synim që ta bëjnë një tjetër paraqitje të mirë.

Nga ana tjetër, hungarezët e shohin këtë si një mundësi të mirë për t’u përgatitur për eksperiencën që do ta kenë në Euro 2024, shkruan “Gazeta Express”.

Trajneri Rossi e vlerësoi ekipin Dardan, ndërsa pret lojë të mirë nesër në stadiumin e mbushur.

“Ndryshime do të ketë në krahasim me ndeshjen ndaj turqve, por në fushë do të jenë lojtarët që do të llogarisim në Evropian. Nuk do të provojmë elementë taktikë apo formacione që nuk i llogarisim në garën kontinentale. Fillimisht jemi duke u përgatitur për turneun në Gjermani, por është e qartë se synimi ynë afatgjatë është zhvillimi i vazhdueshëm”, deklaroi fillimisht Rossi në konferencë për shtyp.

“Të dyja kombëtaret kanë lojtarë me aftësi jashtëzakonisht të mira teknike, por kur bëhet fjalë për cilësinë e lojtarëve individualë, të dy ekipet përfaqësojnë dy nivele të ndryshme dhe kjo vlen edhe për stilin e lojës. Skuadra e Kosovës përfaqëson një stil shumë më të drejtpërdrejtë”, përfundoi trajneri italian i Hungarisë.