Sulmi me automatik/ Shpëton pa lëndime dhe i pa prekur, kryetari Ridvan Ibraimi

Ridvan Ibraimi, kryetari i Komunës së Haraçinës ndaj të cilët sot u gjuajt breshëri plumbash nga një pushkë automatike ka mbetur i pa prekur dhe pa lëndime.

Burime nga Komuna Haraçinës e konfirmojnë për indeks.mk se në momentin e gjuajtjes Ibraimi dhe bashkëpunëtorët kanë qenë duke inspektuar punimet e trotoarit dhe Ibraimi është shpëtuar nga ana e rojes e cila e ka ulur përtokë “cakun” kryesorë të sulmuesit.

Nga MPB konfirmojnë se dy persona kanë mbetur të plagosur dhe sipas informacioneve njëri është shoferi i Ibraimit e tjetri është inspektor lokal nga Komuna.

Gjendja e tyre shëndetësore ende nuk dihet por nga MPB thonë se janë në kërkim të dorasit.

“Sot (1 Prill 2024) në orën 13:25 në SPB-Shkup është raportuar se në hyrje të fshatit Haraçinë, një burrë ka qëlluar me pushkë automatike në drejtim të kryetarit të komunës R.I., i cili ishte së bashku me disa persona të tjerë. Dy persona kanë mbetur të plagosur, të cilët ndodheshin me kryetarin e komunës. Kryetari i komunës nuk ka pësuar lëndime dhe nuk janë të sakta as spekulimet e publikuara në disa portale se ka mbetur i plagosur një punonjës policie”, thonë nga MPB.