Izraeli thotë se do të rihapë një pikëkalim në Gazën veriore

Izraeli thotë se po ndërmerr hapa për të rritur fluksin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, duke përfshirë rihapjen e një pikëkalimi të rëndësishëm në Gazën veriore, të goditur rëndë nga lufta.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi planet herët të premten, vetëm disa orë pasi Presidenti Joe Biden i tha atij se mbështetja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara për luftën në Gazë varet nga ndërmarrja e më shumë veprimeve nga Izraeli për të mbrojtur civilët dhe punonjësit e ndihmave humanitare.

“Kjo rritje e ndihmave do të frenonte një krizë humanitare dhe ëshët e nevojshme për të siguruar vazhdimin e luftimeve dhe arritjen e objektivave të luftës”, tha zyra e kryeministrit Netanyahu.

Njoftimi nuk dha hollësi mbi sasitë apo llojet e artikujve që do të hynin në Rripin e Gazës përmes pikëkalimit në Erez.

Megjithatë, pavarësisht dallimeve të tyre, administrata e Presidentit Biden ka vazhduar t’i ofrojë Izraelit ndihmë të rëndësishme ushtarake dhe mbështetje diplomatike për luftën gjashtëmujore të Izraelit kundër Hamasit. Izraeli përballet me izolim ndërkombëtar në rritje pasi ushtria izraelite vrau shtatë punonjës humanitarë, që po ndihmonin në dërgimin e ushqimeve në Gazë.

Numri i të vdekurve palestinezë arriti në mbi 33,000 njerëz të enjten, ndërsa numri i të plagosurve në mbi 75,600, tha Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës. Ministria e Shëndetësisë në Gazë, e cila kontrollohet nga Hamasi, nuk bën dallime midis civilëve dhe luftëtarëve në raportet e saj, por thotë se gratë dhe fëmijët përbëjnë dy të tretat e viktimave.

OKB-ja thotë se shumica e popullsisë në Gazën veriore është në prag të urisë.

Lufta filloi më 7 tetor, kur militantët e udhëhequr nga Hamas hynë në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke marrë peng rreth 250 njerëz.

Izraeli planifikon të ndryshojë taktikat e luftës në Gazë pas vrasjes së punonjësve humanitarë

Izraeli tha të enjten se do të bënte ndryshime në taktikat e luftës në Gazë pas vrasjes së shtatë punonjësve të ndihmave në një sulm ajror, që ushtria izraelite e pranoi se ishte një gabim i madh dhe se gjetjet e hetimit do të bëhen publike së shpejti.

Incidenti i së hënës ka shkaktuar zemërim në vendet perëndimore për numrin e lartë të civilëve të vrarë në Rripin e Gazës, veçanërisht pasi në mesin e anëtarëve të vrarë të organizatës “World Central Kitchen”, kishte shtetas australianë, britanikë, polakë dhe një punonjës me shtetësi amerikano-kanadeze.

Sipas OKB-së, të paktën 196 punonjës humanitarë janë vrarë në Gazë që nga tetori.

Udhëheqësit izraelitë kanë shprehur keqardhje për atë që ushtria e quajti një “gabim të rëndë” pas identifikimit të gabuar të një grupi makinash të organizatës “World Central Kitchen” gjatë natës në një zonë komplekse luftarake.

Themeluesi i organizatës bamirëse, kuzhinieri Jose Andres, tha se grupi i makinave ishte vënë në shënjestër në mënyrë “sistematike” ndonëse ushtria izraelite ishte në dijeni të lëvizjeve të personelit të tij.

Zëdhënësja e qeverisë izraelite Raquela Karamson tha gjatë një konference për shtypin se “kjo ishte e paqëllimshme”.

“Është e qartë se diçka nuk shkoi mirë. Pasi të mësojmë me saktësi se si ka ndodhur kjo, pas hetimit të ngjarjes, ne do të rregullojmë praktikat tona në të ardhmen për t’u siguruar që kjo të mos përsëritet.”

Ajo tha se publikimi i gjetjeve të hetimit mund të zgjasë disa javë. Por, zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari, dha një afat kohor shumë më të shkurtër.

Një raport i hetuesve iu dha kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant të enjten, tha zëdhënësi Hagari.

“Dhe besoj se pasi t’ua paraqesim këtë ambasadorëve të vendeve përkatëse dhe anëtarëve të organizatës “World Central Kitchen”, do ta bëjmë publike në mënyrë të qartë, transparente dhe kjo do të ndodhë së shpejti”, tha ai.

Israel Ziv, një gjeneral i pensionuar i ushtrisë, i cili më parë komandonte divizionin e Gazës, tha se incidenti mund të ketë rezultuar nga vendimi i ushtrisë për të lejuar më shumë oficerë të rinj të autorizojnë sulmet ajrore.

Ndërsa gjatë periudhave më të qeta një operacion i tillë do të kërkonte një dritë jeshile nga një komandant divizioni ose një gjeneral i ngarkuar me forcat rajonale, tha ai, “në kohë lufte situata është transformuar krejtësisht për shkak të nurmrit shumë të madh të kërcënimeve”.

“Nëse nuk lejohet një zgjerim të kompetencave ne mesin e oficerëve të rangut më të ulët për të hapur zjarr, mund të rrezikohen trupat dhe ecuria e luftës.”

Zoti Ziv vuri në dukje se Izraeli, i cili filloi luftën pas sulmit të Hamasit në qytetet jugore të vendit më 7 tetor, ka luftuar edhe për të shkatërruar kapacitetin ushtarak të islamistëve palestinezë dhe për t’u mohuar atyre qasjen në ndihmat humanitare të dërguara në Gazë.

“Kjo e ndërlikon situatën”, thotë ai.

Si një lëvizje paraprake për të korrigjuar veprimet që quan në vdekjen e punonjësve të organizatës “World Central Kitchen”, Izraeli tha se do të krijonte një qendër të përbashkët koordinimi me agjencitë humanitare brenda Komandës Jugore të ushtrisë, ku misionet në Gazë menaxhohen drejtpërdrejt.

Një zyrtar izraelit i sigurisë, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se numri i trupave tokësore në Rripin e Gazës është rreth 75 për qind më i ulët se në kulmin e luftës dhe se tani ushtria izraelite është e përqëndruar në kryerjen e operacioneve me sulme më të sakta dhe ato për sigurimin e zonave të pushtuara.

“Kjo mund të ketë kontribuar në një ndjenjë të dobësisë. Trupat preferojnë të jenë në ofensivë dhe jo në një pozicion të hapur pa lëvizur dhe duke lënë armikun të veprojë në liri relative”, tha zyrtari.

“Hetimi do të duhet të përcaktojë, ndër të tjera, nëse ky lloj mendimi ndikoi në vendimin e oficerit për të sulmuar makinat e punonjësve humanitarë”.

Më shumë se 33,000 palestinezë janë vrarë në luftë, thonë zyrtarët mjekësorë të Gazës. Hamasi ka thënë se 6000 luftëtarë të tij janë në mesin e viktimave. Zyrtarët izraelitë thonë se numri i viktimave në mesin e luftëtarëve palestinezë është më shumë se dy herë më i lartë./VOA