SHBA: Maqedonia e Veriut ta ruajë frymën e Marrëveshjes së Prespës

SHBA-ja pret që Maqedonia e veriut ta ruajë frymën e Marrëveshjes së Prespës, ndërsa diskursi publik të bazohet në fakte, kumtuan nga Departamenti amerikan i Shtetit për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase.

Para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe parlamentare në vend, mediumet në Greqi shkruajnë se Athina i ndjekë prej së afërmi deklaratat lidhur me Marrëveshjen e Prespës dhe përdorimin e emrit Maqedoni në fushatën zgjedhore të disa kandidatëve.

“Njejtë siç SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Prespës, ne presim që Maqedonia e Veriut ta ruajë këtë frymë dhe diskursi publik të mbetet i bazuar në fakte dhe i rrënjosur në përkushtimin e së ardhmes së Maqedonisë së Veriut në BE”, u përgjigj zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, në pyetjen nëse SHBA-ja është e shqetësuar për minimin e mundshëm të Marrëveshjes së Prespës.

Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden, në vitin 2021 nënshkroi urdhër ekzekutiv, me të cilin u parapa ngrirja e pronës dhe ndalesë për hjyrje në SHBA të personave të cilët punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes së Ohrit.

“Ata të cilët janë përgjegjës apo të përfshirë, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë, në shkelje apo në veprim i cili e pengon apo është cënim për implementimin e cilës do marrëveshje të sigurisë rajonale, paqësore apo marrëveshje bashkëpunimi, apo marrëvehsje kornizë lidhur me Ballkanin Perëndimor, duke i përfshirë Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018, Marrëveshjen kornizë të Ohrit të vitit 2001”, qëndron në urdhrin ekzekutiv të Bajdenit.

Departamenti amerikan i Shtetit në atë kohë sqaroi se urdhri ekzekutiv nuk u referohet vetëm personave në shtetet e Ballkanit Perëndimor të cilët e rrezikojnë Marrëveshjen e Prespës, por edhe në shtete të tjera.

Kjo erdhi si përgjigje në pyetjen e Zërit të Amerikës në gjuhën maqedonase, nëse administrata e Bajdenit planifikon t’i zgjerojë sanksionet edhe në Greqi, e cila është nënshkruese e Marrëveshjes së Prespës.

“Urdhri ekzekutiv 14033 lejon sanksione ndaj atyre të cilët e nënvlerësojnë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, kudo që të ndodhen, nën kushtin që t’i përmbushin kriteret relevante për targetim”.

SHBA-ja theksoi se inkurajon diskutim dhe debat të fuqishëm mes qytetarëve, globalisht dhe në Ballkanin Perëndimor, dhe se qëllimi i urdhrit ekzekutiv nuk është të parandalojnë persona privat të shprehin mendim.

“Urdhri ekzekutiv u referohet veprimeve të cilat i nënvlerësojnë proceset demokratike, tentimeve për shkelje, obstruksion apo cënim për implementim të mmarrëveshjeve paqësore ndërkombëtare, pjesëmarrje në keqpërdorim serioz të të drejtave të njeriut, apo korrupsion, mes aktiviteteve të tjera”, kumtoi Departamenti i Shtetit.

Pas urdhrit ekzekutiv të Bajdenit, çartia opozitare VMRO-DPMNE, në kumtesë me shkrim, tha se nuk ka marrë pjesë në negociatat dhe miratimin e Marrëveshjes së Prespës në Parlament, si dhe se ajo është në kundërshtim me interesat nacionale maqedonase.

Marrëveshja e Prespës dhe implementimi i saj përmenden në fushatën zgjedhore të opozitës para zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të mbahen më 24 prill, ndërsa rrethi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Zëri i Amerikës thekson se ka kërkuar koment edhe nga qeveria e Greqisë. Parlamenti grek akoma nuk ka ratifikuar memorandume lidhur me Marrëveshjen e Prespës.