VMRO-ja si litar shpëtimi për opozitën shqiptare!

– Duhet kuptuar brengën e madhe opozitare, e cila litarin e shpëtimit e sheh te VMRO-ja, edhe pse, ajo parti nuk ishte vetëm sinonim i nacionalizmit, ekstremizmit, inxhenjeringut identiatar, por dhe jo lule për t’i marrë erë edhe në fushën ku mendojnë opozitarët se i kanë adutët më të forta: në luftën kundër korrupsionit dhe anomalive tjera të pushtetit, sepse sinonim i gjithë këtyre të këqijave është pikërisht VMRO-ja!

(Editorial i portalit desk.al)

E akuzojnë BDI-në se ka qenë në koalicionim me VMRO-në…Pastaj, gjërat dalin edhe më interesante nga konteksti i garës zgjedhore…dhe bien në grackë të fjalëve të veta!

Po, është fakt që BDI-ja ka qenë në koalicion me VMRO-në. Atëherë edhe një pjesë e mirë e opozitës së sotme shqiptare ka qenë bashkë me të, a janë distancuar?

Kanë qenë jo me Mickoskin, por me Gruevskin, edhe pse sot, dikush prej tyre, përpiqet të bëjë dallim midis “dy” VMRO-ve!

Dhe pastaj, del e flet një ish-këshilltar i Gruevskit, sot në radhët e opozitës shqiptare.

Bravo i qoftë për sinqeritetin! Nuk e mohon, madje dhe krenohet me këtë fakt! Ndryshe nga kolegët e tij të koalicionit, të cilët përpiqen të bëjnë një dallim midis Gruevskit dhe Mickoskit. Edhe pse ky i dyti, u zgjodh pikërisht nga i pari, që ia la trashëgim partinë për t’ia ruajtur!

E kemi pastaj deklaratën ekzemplare në rrjetet sociale nga Afrim Gashi, i cili bën avokatinë e Mickoskit. Edhe ai më shumë se të tjerët, mbase pse nuk ka qenë me Gruevskin në koalicion ndonjëherë si disa bashkëkoalicionistë të VLEN-it. Ai ballëhapur përpiqet t’u tregojë shqiptarëve se Mickoski “është ndryshe nga Gruevski”.

Dhe Afrimi është i bindshëm kur thotë se nuk mban mend ndonjë deklaratë antishqiptare Mickoskit, por, ç’t’i bësh, këta “qerratatë” e BDI-së ia ngjesin deklaratës së tij një deklaratë të Mickoskit para regjistrimit të popullsisë, kur ai në mënyrë decide thoshte se kushdo që ka dalë jashtë vendit më shumë se 12 muaj, nuk mund të regjistrohet këtu, le të regjistrohet atje ku punon, në Evropë.Nuk linte përshtypje se e kishe për dikë tjetër, pos për ata shqiptarë që punojnë në botë. Mendja e tij, shqiptarët janë më shumë dhe më mirë të mos regjistrohen, se mos po e prishin strukturën etnike të shtetit të tij unitar!

Kjo është një nga këto deklarata “jo”-antishqiptare(?), po ajo deklarata për heqjen e “balanserit”, ka për qëllim ta rrisë numrin e shqiptarëve në administratë, apo ta ulë?! Pra, sipas Afrim Gashit, është deklaratë pro-shqiptare?

Por, opozitarëve shqiptarë, duhet t’ua pranojmë që nuk hezitojnë, kurdo që t’i pyetesh, nuk e mohojnë planin e tyre për të ardhur në pushtet me VMRO-në, edhe pse gjithë logjika politike, sa u përket çështjeve etnike, është se ajo është partia “më e rëndë” për të bashkëpunuar. Ajo ka historinë “më të pasur” të qëndrimeve “të qarta” ndaj çështjeve ndëretnike brenda, por dhe qasjen më problematike edhe kundrejt fqinjëve dhe proceseve euroatlantike. Të mos kishte rënë nga pushteti, sot e kësaj dite dyert e NATO-s do t’i kishim të mbyllura, e për Evropë, po e shohim se po ia arrin qëllimit edhe si opozitë.

Vërtet, është një brengë e madhe opozitare, e cila litarin e shpëtimit e sheh te VMRO-ja, edhe pse, ajo parti nuk ishte vetëm sinonim i nacionalizmit, ekstremizmit, inxhenjeringut identiatar (problematik për vetë maqedonasit), por dhe jo lule për t’i marrë erë edhe në fushën ku mendojnë opozitarët se i kanë adutët më të forta: në luftën kundër korrupsionit dhe anomalive tjera.

Sepse, partia më e dëshmuar dhe kampione në këtë fushë është pikërisht VMRO-ja, me miliona e miliarda euro të keqpërdorura të buxhetit të shtetit!

E, ky vërtet është një hall i madh për t’i rënë kokës e për të menduar, por s’u ka faj askush, është një zgjedhje e vetë opozitarëve shqiptarë. Sa do t’i bindin shqiptarët se Mickoski është më i mirë se Kovaçevski dhe se vetë Gruevski, kjo mbetet për t’u parë.