Osmani përsëri me ftesë publike ndaj Gordana Siljanovska-Davkovas për duel televiziv

Kandidati për President nga Fronti Europian, Bujar Osmani insiston për një “duel” mediatik me kundër-kandidaten nga VMRO DPMNE-ja, Gordana Siljanovska-Davkova. Me qëllim që të shpalosin ofertat e tyre e të flasin hapur para qytetarëve se kush çfarë vizioni ka për Maqedoninë e Veriut, vetëm gjatë ditës së djeshme, Osmani i bëri oponentes politike dy ftesa publike, nga press-konferenca e mesditës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tubimi i mbrëmshëm në Cërnilishtë.
“Prandaj sot, ftova kundër kandidaten time, znj. Gordana Siljanovska, dhe ja po e ftoj përsëri, eja të dalim në debat! Për shkak se dy ofertat tona janë të vetmet alternativa, eja të dalim në debat! Unë do të flas për integrimin, ti do të flasësh për izolimin. Unë do të flas për bashkëjetesën e Frontit Europian, ti do të flasësh se si kërkon 61 deputetë për t’i përjashtuar shqiptarët, turqit e të tjerët, nga vendimmarrja. Unë do të flas si secili prej nesh në xhepin e vetë të ketë pasaportën europiane, kurse ajo le të flet, se si i detyron njerëzit dhe maqedonasit të marrin pasaportë bullgare, për të ikur drejt Europës. Këto janë 2 alternativat që na ofrohen neve”- theksoi Osmani.

Por nga selia e VMRO DPMNE-së e as Siljanovska Davkova ende pa përgjigje për ftesën për debat. Ditë më parë Davkova i është kundërpërgjigjur Osmanit se thirrja nga ana e saj për 61 deputetë nuk është nacionaliste e se këto zgjedhje nuk janë referendum për BE ose izolim, ashtu siç thotë kandidati i koalicionit Fronti Europian. Megjithë pritet të shihet ditëve në vijim nëse e njëjta është e gatshme për ballafaqim të drejtpërdrejtë.