Osmani pret në takim kryeministrin Xhaferi: Mbështetja jonë për anëtarësim të Kosovës në Kie është e plotë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin.

Në njoftimin e presidencës bëhet e ditur se Osmani theksoi se Kosova llogaritë në përkrahjen e mëtejme të RMV-së në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Në anën tjetër, kryeministri Xhaferi tha se mbështetja e RMV-së është e plotë në këtë proces të Kosovës.

Komunikata:

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka pritur në takim kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z.Talat Xhaferi.

Maqedonia e Veriut, sipas Presidentes Osmani është shtet fqinj dhe njëkohësisht mbështetëse e Kosovës.

Presidentja Osmani tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut mund t’i shkëmbejnë përvojat në procesin e integrimit evropian dhe në të njëjtën kohë shfaqu bindjen se ky shtet do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën evropiane.

Në këtë kontekst, Presidentja tha se Kosova llogaritë në përkrahjen e mëtejme të Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sikurse edhe në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare.

Në prag të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, kryeministri Xhaferi, njoftoi Presidenten Osmani se mbështetja e Maqedonisë së Veriut është e plotë.

Në këtë takim, ndër të tjera u diskutua edhe për finalizimin e pikave të përbashkëta kufitare përpara fillimit të sezonës verore, sikurse edhe lehtësimin e të bërit biznes.