11 të vdekur nga një sulm raketor rus në veri të Ukrainës

Një sulm raketor rus ka vrarë 11 persona dhe ka plagosur 22 të tjerë në qytetin verior të Ukrainës, Chernihiv. Raketat dëmtuan ndërtesa dhe infrastrukturën. Kreu i spitalit rajonal të Chernihiv tha se të paktën 18 persona mbetën të plagosur në sulm dhe ata janë dërguar në spitale të tjera të rajonit për shkak të plagëve të marra.

Videot në mediat sociale treguan flakë dhe tym të zi që ngriheshin mbi qytetin historik, që shtrihet rreth 150 km nga kryeqyteti Kiev. Frika është se numri mund të rritet, pasi disa persona janë ende nën rrënoja. Pas sulmit presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky sërish bëri thirrje për ndihmë. “Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse Ukraina do të kishte marrë një numër të mjaftueshëm të sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe nëse vendosmëria e botës për t’iu kundërvënë terrorit rus do të kishte qenë e mjaftueshme”, u shpreh Zelensky.

Në një intervistë për PBS Newshour, Zelensky deklaroi se mungesa e raketave të mbrojtjes ajrore e pengoi Ukrainën të parandalonte një sulm raketor rus javën e kaluar që shkatërroi termocentralin më të madh në rajon rreth kryeqytetit Kiev.

“Së pari, unë besoj se ky është një sinjal për të gjithë liderët e botës. Sigurisht, Franca, Jordania, Britania e Madhe, SHBA janë përgjigjur dhe kanë mbështetur mbrojtjen e Izraelit, por ka shumë gjëra që, sinqerisht, i mungojnë Ukrainës. Na kanë mbaruar të gjitha raketat që mbronin Trypilya”.

I shkatërruar në një sulm të 11 marsit, termocentrali Trypilska ishte impianti më i madh energjetik pranë Kievit dhe u ndërtua për të plotësuar nevojat e para luftës të qytetit më të madh të Ukrainës. Stacionet e tjera dhe importet kanë mbushur boshllëkun për momentin, por banorëve u është kërkuar të kursejnë energjinë.
Zelenskiy foli gjithashtu për vendet e NATO-s që mbrojnë Izraelin, i cili nuk është një vend i aleancës ushtarake dhe se kjo mund të shihet si një mësim për këdo në çdo kontinent që thotë se duhet të ndihmojnë Ukrainën me shumë kujdes që të mos angazhojnë vendet e NATO-s në luftë.

Klan News