Përvojë e hidhur nga Strazburgu! Mickoski i dha një flakareshë të nxehtë opozitës shqiptare!

Shoku i keq, thotë populli, të le në baltë!
Këtë fjalë popullore, dje e dëshmoi votimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për miratimin e mendimit pozitiv për pranimin e Kosovës. Një gjë e pritur, e paralajmëruar që më parë…ama, atje nuk u gjetën miqtë e opozitës shqiptare nga radhët e VMRO-së.
Nga përfaqësuesit e Maqedonisë ishin Arta Bilalli Zendeli nga BDI dhe Darko Kaevski nga LSDM, të cilët votuan pro pranimit të Kosovës në KE, porse jo dhe nënkryetari i VMRO-së, Aleksandar Nikollovski, i cili si duket ka evituar çfarëdo votimi duke mos shkuar fare në Strazburg.
Në vend të tij ka mundur të shkojë kolegu që e zëvendëson, Vllado Misajllovski, por siç i kanë bërë të ditur gazetës “Koha”, që të dy kanë qenë të zënë me fushatën parazgjedhore, e jo se kanë diçka kundër Kosovës. Kështu, në vend se të shkojnë dhe ta prezantojnë politikën shtetërore në Strazburg, kanë zgjedhur interesin e ngushtë partiak.
Të jemi të sinqertë, pas votimit “pro”, nuk është ndier mungesa e përfaqësuesit të VMRO-së, por dyshimi për motivet e abstinencës do të mbeten. Nuk mund të hiqet dyshimi se bëhet fjalë për një taktizim për të mos i mbetur hatri Serbisë, por nëse kjo është e vërtetë, do të ishte një flakareshë e nxehtë për opozitën shqiptare e cila gjithë strategjinë për të ardhur në pushtet, e kanë me VMRO-në. Dhe kur jemi te kjo mundësi që mund të jetë afër të vërtetës, nuk mund të mos ndërlidhemi me atë mendimin ekzemplar të Afrim Gashit se Mickovski dallon prej Gruevskit.
Vërtet dallon. Gruevski me gjithë të këqijat që e shtynë të bëhet “azilant” në Hungari, një gjë e bëri me burrëri: qeveria e tij e pranoi shtetin e pavarur të Kosovës, ndryshe nga këto taktizime që po duket se po i bën Mickoski.