Tashmë edhe oferta zyrtare, Bayern Munich pranë nënshkrimit me Ralf Rangnick

Pa ndonjë surprizë të momentit të fundit, Ralf Rangnick do të jetë trajneri i ardhshëm Bayern Munich. Ai që ka konfirmuar kalimin e tij në stolin e ekipit bavarez është drejtori sportiv i Federatës Austriake të Futbollit, Peter Schöttel, i cili pranoi se ka marrë një ofertë zyrtare nga klubi bavarez.

Rangnick drejton aktualisht kombëtaren e Austrisë, me të cilën do të luajë në finalet e Euro 2024. Në një takim që u zhvillua disa ditë më parë midis Rangnick, vetë Schöttel dhe presidentit federal Klaus Mitterdorfer, trajneri 65-vjeçar foli për interesin e gjermanëve për të.

“Unë mendoj se është e rëndësishme që të gjithë njerëzit e përfshirë të marrin një vendim sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Schöttel, duke iu referuar mbi të gjitha Kampionatit Europian të ardhshëm. “Çështja do të duhet të adresohet menjëherë, brenda një ose dy javësh“.

Kështu, Rangnick pritet të ulet në stolin e Bayern Munich pas përfundimit të Euro 2024, pasi të ketë përfunduar aventurën e tij me ekipin kombëtar austriak. Trajneri 65-vjeçar gjerman do të zërë vendin e Thomas Tuchel, i cili do të lërë bavarezët në fund të këtij sezonit./