Ahmeti në Debat Plus në Klan M: Me Frontin Europian jemi para portës kryesore për integrimin e vendit në BE

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti i ftuar në emsionin Debat Plus në Klan M, ka bërë një deklaratë të fuqishme, duke theksuar se partia dhe mbështetësit e saj nuk janë “argatë të huaj” por janë pjesë integrale e shtetit të tyre. Duke reflektuar mbi historinë e organizimit të komunitetit shqiptar gjatë luftës për bashkimin e tokave, ai ka shprehur se ndryshimet e viteve ’90 kanë qenë vendimtare për të përcaktuar rrugën e tyre drejt paqes dhe stabilitetit.

Në deklaratën e tij, lideri ka përmendur Marrëveshjen e Ohrit si një pikë kthese që solli të drejta të reja për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe ka kontribuar në krijimin e shtetit të Kosovës. Ai ka theksuar se tani është koha për të zbatuar standardet e nevojshme dhe për të përmbushur “detyrat e shtëpisë” në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese që janë të nevojshme.

Lideri i BDI-së ka shprehur optimizëm se nëse procesi me Brukselin shkon mirë, brenda katër viteve Maqedonia e Veriut mund të bëhet pjesë e BE-së. Ai ka shtuar se Marrëveshja e Ohrit është një fitore për të gjitha komunitetet në vend, duke përfshirë edhe maqedonasit, dhe se ajo nuk sjell humbje për askënd, por përparim për të gjithë.

“Ne nuk jemi argatë të huaj ne jemi në shtetit tonë. Fillimet tona të organizimit gjatë luftës kanë qenë për bashkimin e tokave tona.
Rrethat në vitet 90 ndryshuan, dhe ne me këto ndryshime u përcaktuam ku u bë lufta në Kosovë, pastaj u bë lufta në Maqedoni nga ku doli dhe Marrëveshja e Ohrit. Sot e kemi shtetin e Kosovës, si dhe shumë të drejta janë arritur për shqiptarët e Maqedonisë të cilat normalisht kuptohet ka dhe shumë punë për t’u bërë. Tani ne jemi në situatë të zbatohen standardet dhe të bëhen detyrat e shtëpisë, jemi në portën kryesore për të hyrë në BE, dhe kemi dhe një çështje për të arritur atë të ndryshimeve kushtetuese. Nëse procesi me Brukselin na shkon për së mbari atëher për katër vite do të jemi pjese e BE-së.
Me marrëveshjen e Ohrit nuk humbet asnjë njeri, është marrëveshje nga e cila fitojnë të gjitha komunitetet edhe maqedonasit”, tha Ahmeti./tvklan.mk/