Kur VMRO-ja peshon votën shqiptare, të bën të kremtosh edhe si humbës!

Mbi 30000 vota dhe gjashtë deputetë më shumë se konkurrenca e drejtpërdrejtë e VLEN-it, është bilanci tejet respektabil i Frontit Europian dhe BDI-së, si forcë udhëheqëse e tij.

Me gjithë humbjen, opozita dje “inspiroi” aktivistët dhe simpatizantët e saj me një varg kremtimesh nëpër sheshe e shumë fishekzjarrë, sikur të kishin dalë fitues! Një analist kosovar(Imer Mushkolja) më së miri e e me pak fjalë e përshkroi paradoksin: Te na n’Kosovë kush merr ma shumë vota është fitues, n’Maqedoni ish ndryshe…

Kur bëhet një garë, qoftë në sport, qoftë dhe në politikë, ka disa rregulla që duhet respektuar. Në fund të “ndeshjes” humbësi ia shtrin dorën fituesit. Mbrëmë këtë e shprehën Pendarovski dhe Kovaçevski, që pranuan humbjen dhe uruan fituesin. Në bllokun politik shqiptar jo vetëm që mungoi ky lloj bontoni, por dhe krerët e VLEN-it u përpoqën para kamerave humbjen ta shesin si fitore dhe me këtë, edhe të arsyetojnë kremtimin!

Vërtet, si mund të kremtosh si humbës?

Krerët e VLEN-it arsyen për të fituar e gjejnë në faktin se ata paskan marrë votën shqiptare dhe si koalicion kanë marrë më shumë deputetë shqiptarë. Por, as ky argument nuk u qëndron. Fronti Europian ka marrë gjashtë deputetë më shumë dhe nuk janë jo shqiptarë që të gjashtët që e bëjnë dallimin! Pra, numri më i madh i deputetëve shqiptarë prapë është te Fronti e jo te VLEN-i!

Në të vërtetë, festuan fitoren e VMRO-së!?

Kjo ndryshon, u jep të drejtë! VMRO-ja dhe lideri i saj Hristijan Mickovski, si tha para nja 10 ditësh njëri nga liderët opozitarë të VLEN-it, di ta vlerësojë se cila parti i i përfaqëson shqiptarët! Vërtet, këtu s’kemi si t’u kundërvihemi me argumente, një parti maqedonase e jepka “verdiktin” e peshës së votës shqiptare me çka edhe do t’i strehojë në pushtet, edhe pse nuk e përfaqësojnë shumicën shqiptare, e edhe më pak që mund të sigurojë shumicë të Badenterit!

Zaten, koketimi i pashembullt me VMRO-në, është një nga arsyet kryesore që shqiptarët e ndëshkuan koalicionin tepër ambicioz(VLEN) anti-BDI. Taravari me shokë tash dhe mund t’i harrojnë premtimet se nëse humbin do të dorëhiqen, por kjo është çështje e kulturës dhe moralit politik, që shumëkush mendon se janë kategori inekzistente në politikë!