Sezon fantastik i Atalanta, Gjimshiti: Mund t’i mposhtim të gjithë

Atalanta mposhti 2-1 Romën në Bergamo dhe skuadra e drejtuar nga Gasperini është shumë pranë kualifikimit në Champions League për sezonin e ardhshëm.
Pas përfundimit të sfidës, ka folur Berat Gjimshiti, mbrojtësi shqiptar i cili është tepër optimist për skuadrën e tij.

“Fitore shumë e rëndësishme për Atalantën”, komentoi Berat Gjimshiti, i cili ka arritur numrin 48 ndeshje për zikaltërit në sezonin 2023-2024.

“Edhe këtë herë u pa që e kishim përgatitur shumë mirë ndeshjen. Më e rëndësishmja ishte të mos mendonim për finalen e Kupës së Italisë, sepse ka kohë. Bëmë shumë mirë, sidomos në pjesën e parë, mund të kishim shënuar 3-4 gola me rastet e bujshme që krijuam. Mund ta kishim mbyllur më herët ndeshjen ndaj Romës, me pak më tepër saktësi përpara.

Nuk mendoj se është vendimtare, janë edhe tri ndeshje për të luajtur në këtë kampionat. Të gjitha janë sfida vendimtare. Ne do të luajmë pesë ‘finale’ radhazi, duke përfshirë edhe ato të kampionatit, do t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Besojmë te vetja, mund t’i fitojmë të gjitha.

Ndeshja ndaj Liverpoolit jashtë shtëpisë na dha shumë besim për të arritur deri në fund. Ekziston një vetëdije se mund t’i mposhtim të gjithë nëse luajmë kështu. Për mendimin, kundërshtarët hasin në vështirësi kur luajnë ndaj nesh. Kështu duhet të jetë edhe në pesë ndeshjet e fundit të këtij sezoni”, deklaroi Gjimshiti./ h.ll/abcnews.al