Nënsekretarja Allen: Asociacioni, hap thelbësor në rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës

“Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është hap thelbësor në jetësimin e synimeve euro-atlantike të Kosovës”.

Kështu është shprehur Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Diplomaci dhe Çështje Publike, Liz Allen pas një takimi të zhvilluar të dielën.

me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Konfirmoj se ne mbështesim trajektoren e Kosovës drejt institucioneve euro-atlantike, përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe e di se kjo është me rëndësi për ju. Diskutuam për hapin thelbësor në rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës, Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, thesoi ajo.

Bërja e hapave drejt Asociacionit ka qenë kusht për Kosovën edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, autoritetet e Kosovës kanë thënë se gjatë muajit maj do të dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, një propozim për formim të Asociacionit, mirëpo zyrtarë të lartë të Perëndimit kanë thënë se diçka e tillë është e pamjaftueshme për të plotësuar kushtin.