Mijëra iranianë mbushin rrugët për funeralin e Ebrahim Raisit

Iranianët u mblodhën në Tabriz, provinca në Azerbajxhanin Lindor, për të mbajtur zi në një procesion lamtumire për Presidentin Ebrahim Raisi, i cili humbi jetën pas përplasjes së helikopterit ku humbën jetën edhe tetë të tjerë.

Dhjetëra mijëra mbështetës të Ebrahim Raisit, duke valëvitur flamujt iranianë dhe portretet e presidentit të ndjerë, u nisën nga një shesh qendror në qytetin veriperëndimor.

Autoritetet kanë bërë të ditur se ceremonitë e varrimit për personalitetet e shtetit Iranian që humbën jetën në aksident do të jenë të zgjatura në kohë si dhe do të mbahen në disa vende.

Pas procesionit në Tabriz, trupi i Raisit dhe Amirabdollahian do të transferohen në Teheran për një ceremoni tjetër. Të mërkurën, një ceremoni më e madhe do të zhvillohet në Teheran, me Udhëheqësin Suprem Ayatollah Ali Khamenei që pritet të udhëheqë lutjet ku do të jenë të ftuar edhe personalitete të huaja. Trupi i Raisit do të dërgohet më pas në Mashhad ditën e enjte ku do të varroset në verilindje.

Por jo të gjithë e mbështetën qeverisjen si dhe vendimet e marra nga Raisi. Shumë iranianë e festuan vdekjen e tij në mediat sociale. Prokurori i Përgjithshëm iranian Mohammad Kazem Movahhedi Azad ka urdhëruar një goditje ndaj përdoruesve në internet që publikojnë fyerje kundër presidentit të ndjerë dhe të tjerëve që humbën jetën.

Menjëherë pasi lajmi për rrëzimin e helikopterit filloi të raportohej të dielën mbrëma, disa persona filluan të shpërndanin video të fishekzjarreve në Iran, duke festuar vdekjen e presidentit përpara se të konfirmohej. Të tjerë dolën në mediat sociale për të brohoritur për ekipin e shpëtimit që po përballej me kushte të vështira ndërsa kërkonte vendin e rrëzimit.

Nga hetimet e deritanishme nuk kanë nxjerrë ndonjë provë të përfshirjes së vendeve armike ndaj Iranit, si Izraeli apo ndonjë akt sabotimi. Kushtet ekstreme të motit të kombinuara me terren sfidues si dhe modeli i vjetër i helikopterit mbeten ndër shkaqet kryesore të aksidentit. Kjo javë zie do të jetë një provë për liderët konservatorë të Iranit që duan të dërgojnë një sinjal të qartë dhe bindës vazhdimësie, por autoriteti përfundimtar i vendimmarrjes në Republikën Islamike i takon Udhëheqësit Suprem.

Klan News