Ali Ahmeti fton shqiptarët në Itali të votojnë për Muharrem Salihun për EuroDeputet

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook ka shfaqur përkrahje ndaj Muharrem Salihut, kandidatit të koalicionit italian “Stati Uniti d’Europa”.

Ahmeti ka ftuar shqiptarët që të votojnë për përkrahje ndaj atdhetarit Salihu.

Statusi i plotë:
Me gëzim e pranova lajmin e zyrtarizimit të kandidaturës për eurodeputet të aktivistit të shquar politik në mërgatë, e në veçanti për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, z. Muharrem Salihu nga ana e koalicionit italian “Stati Uniti d’Europa/Shtetet e Bashkuara të Evropës”.

Përcjell mbështetjen time maksimale për këtë kandidaturë historike dhe apeloj që shqiptarët në Itali dhe me të drejtë vote kudo të japin votën e tyre për të siguruar praninë e zërit të tyre në Parlamentin Europian në zgjedhjet që do të mbahen nga 6 deri më 9 Qershor.

Zgjedhja e z. Muharrem Salihut në Parlamentin Europian do të jetë e një rëndësie të jashtëzakonshme në misionin e promovimit të vlerave tona kombëtare dhe të integrimit të mbarë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.