Bela: Kontrabandimi i legjitimitetit po përpiqet të prezantohet si realitet i ri i sejmenëve të VLEN

Shkruan: Valon Bela

Për ata që po vetëvriten!

Cesare Zvattini ka thënë: “Ikja nga realiteti do të thotë tradhëti”.

Kontrabandimi i legjitimitetit po përpiqet të prezantohet si realitet i ri i sejmenëve të VLEN, e që faktikisht po dëshmohet se risi e vetme qenka shërbimi i tyre klasik ndaj VMRO-së që po përçon mesazh se me shqiptarët bën çfarë të dua. Rreth kësaj të fundit, sejmenëve të VLEN-it dhe satelitëvë të tyre (juristë, analistë, ekonomistë, agjitatator kryeneç) dua t’i përkujtoj titullin e këtij libri që mbaj në dorë (në foto). Ajo çfarë u bë në Kosovë ushtroheshte si diçka normale nga Milosheviç por shumë shpejt regjimi i tij u bombardua nga NATO, Kosova u pavarsua ndërsa ai u dorëzua nga vet populli i tij në Hagë. Ajo që po tentohet këtu në Maqedoni është të paraqitet një situatë e jashtëzakonshme si krejtësisht “normale” dhe ky normalitet servohet vetëm me deklarata nga individë të cilëve u preken interesat në mënyrë direkte. Pra, nëse në Kosovë banonin 90% shqiptarë, ata përsëri ishin të jashtëligjshëm për sytë e Milosheviçit. Këtu në RMV edhe pse kishim zgjedhje fer dhe demokratike, një kuazi Milosheviç po tenton të “zgjedh” midis shqiptarëve të ndershëm e të dëgjueshëm me ata të pandershëm e të padëgjueshëm (shkaku i kushteve dhe kërkesave). Pra, ai po prezanton “të tijët” nga ana e shqiptarëve përpara elektoratit të tij dhe siç thash, po përçon mesazhin se ai mund të bëj çfarë të do me shqiptarët!
Vetëvrasja politike e sejmenëve të VLEN nuk vjen nga resorët e parëndësishëm që u ka dhënë Mickovski nga VMRO-DPMNE, por nga gëlltitja e disciplinimit politik dhe që këtë po na e paraqesin si diçka krejt normale dhe e rëndomtë. Nëse shkatërrimi i Jugosllavisë ndodhi nga ndasitë e thella etnike, rënia ekonomike dhe vonimi i intervenimit të komunitetit ndërkombëtar atëherë situata momentale në RMV me tentim formimin e Qeverisë së re VMRO-VLEN (ku përjashtohet legjitimiteti i vërtetë) është pikërisht rasti identik i pikënisjes së shkatërrimit shtetëror. Libri në dorën time është përkujtues më i mirë se vendimet e njëanshme sikur kjo me përzgjedhjen e padrejtë të VMRO-së është shkatërrim në vete e që formën e manifestimit të tij e ka “post festum”.
Tani, kur analizojmë Kosovën, vërtetohemi se RMV do të ndryshon esencialisht por në këtë rast, dihet kush do të qanë dhe kush do të buzëqeshë. Sepse luajtja me legjitimitetin e tjetrit është lojë e rrezikshme që e pëson me kokë. Fitimtarët dihen!