Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së: RMV po nënçmon popullin shqiptar, bëhet shërbëtore e Serbisë

Me veprime të tilla, si arrestimi i ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani, Maqedonia e Veriut po bëhet shërbëtore e Serbisë dhe po nënçmon popullin shqiptar që jeton në RMV, kanë vlerësuar njohësit e zhvillimeve politike atje.

Sipas të prononcuarve të Albanian Post, po dëshmohet çdo ditë se UÇK-ja është pengesë jo vetëm për Serbinë, por edhe për ata që i shërbejnë propagandës së saj, pasi që po zbatojnë vendime të saj.

Blerim Ramadani u arrestua nga autoritetet maqedonase më 17 korrik në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, për shkak të fletarrestit nga Serbia, për t’iu caktuar paraburgimi ekstradues 30 ditor vetëm një ditë më pas.

Sipas gazetarit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Xhenur Iseni, me këso veprime, Maqedonia disi bëhet “shërbëtore e dorës kriminale të shtetit të Serbisë, duke nënçmuar popullin shqiptar në RMV”, e mbi të gjitha, shton ai, “duke mos respektuar bashkëqeverisjen ashtu siç deklarohen mes shqiptarëve dhe maqedonasve”.

“Edhe duke mos respektuar edhe fqinjësinë e mirë jo vetëm me Kosovën, por edhe me Shqipërinë. Pasi janë vendet e vetme fqinje që pa asnjë kompromis e mbështetin RMV-në si shtet”, thotë Iseni në një prononcim për Albanian Post.

Pra, në vlerësimin e tij, veprimet e tilla të pa matura “shkojnë në dëm të vet shtetit”.

Ai ka shtuar se Ramadani, “sipas bisedave që bëra me OVL të Kosovës, nuk ka asnjë procedurë penale dhe kjo akuzë i bëhet ekskluzivisht vetëm pse ka qenë ushtar i UÇK-së dhe ka mbrojtur tokën e vet”.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha se pret që Maqedonia e Veriut t’ia ekstradojë shtetit serb ish-ushtarin e UÇK-së.

“Nuk besoj dhe nuk mendoj se Maqedonia do bëj ekstradimin e Ramadanit në Serbi për shumë arsye”, potencon Iseni, derisa përmend edhe rastet e mëparshme kur ish-ushtarët e UÇK-së ishin arrestuar nga RMV-ja për shkak të flearresteve nga Serbia, dhe që të njëjtit ishin liruar.

“Besoj se edhe me Ramadanin do ndodh e njëjta gjë”, pohon.

Ndërsa, sipas politologut shqiptar nga RMV-ja, Valon Bela, arrestimi i ish-ushtarëve të UÇK-së përmes kërkesës së shtetit serb në INTERPOL “është pasqyrë e mirë për këtë Qeveri (të re) se sa respektojnë arrestimin e shqiptarëve (pse jo edhe ekstradimin)”.

Në një bashkëbisedim për AP, Bela thotë se kur i shtohet fakti se partneri i ri qeverisës shqiptar “VLEN” po dëshmon për çdo ditë “impotencën politike për të ndryshuar gjërat për së mbari, del në sipërfaqe antishqiptarizmi jo vetëm verbal, por edhe në vepër”.

“Duhet përkujtuar se kjo qeveri e udhëhequr nga [Hristjan] Mickoski i VMRO-së ka larguar nga puna 43 drejtorë dhe shumë punonjës administrativ shqiptarë dhe kjo u bë përmes partnerit shqiptar VLEN në këtë qeveri. Tashmë kanë filluar institucionet në mënyrë të organizuar të mënjanojnë edhe gjuhën shqipe”, ngrit shqetësimin ai.

Sidoqoftë, politologu Bela potencon se caktimi i masës 30 ditore të paraburgimit dëshmon se Prokuroria dhe Gjyqësori në RMV “akoma kanë mendësinë jugosllave dhe antishqiptare kur bëhet fjalë për shqiptarët”.

“Blerim Ramadani është shtetas i Republikës së Kosovës dhe Maqedonia e Veriut e ka njohur pavarësinë e këtij shteti që nënkupton se ekstradimi (lexo lirimi) i tij duhet të bëhet edhe për faktin se ai nuk është shtetas i Jugosllavisë e hiç më pak i Serbisë”.

Çdo ditë e më tepër, sipas Belës, po dëshmohet se UÇK “është halë në sy jo vetëm për Serbinë, por edhe për ata shtete përreth që po i shërbejnë akoma propagandës serbe”.

Në lidhje me ekstradimin e mundshëm të Blerim Ramadanit në Serbi, për Albanian Post, ka folur Arben Taravari, Ministër shqiptar i Shëndetësisë, njëherit njëri nga liderët e koalicionit “VLEN”.

Taravari ka thënë për AP se nuk e beson se mund të bëhet ekstradimi i Blerim Ramadanit në Serbi.

“Nuk e besoj se mund të bëhet ekstradimi. Ne jemi duke fascilituar lirimin e tij”, theksoi Taravari, njëri nga liderët e koalicionit “VLEN”, në një prononcim për AP, pasi që u pyet për deklaratat Daçiç-it.

Në ditën që u arrestua, AP komunikoi edhe me Izet Mexhitin, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut.

Ai potencoi se “jemi duke punuar” për lirimin e Ramadanit.

“Ka pasur edhe në të kaluarën raste të ngjashme. Po punojmë për ta evituar si problem”, theksoi Mexhiti për AP, derisa tregoi edhe për veprimet që janë duke i bërë për rastin në fjalë dhe jo vetëm.

“Jemi duke punuar edhe për këtë rast, por edhe për rastet tjera”, potencoi zëvendëskryeministri shqiptar në qeverinë e RMV-së. Kjo ka ndodhur, siç tregoi Mexhiti, pasi që Serbia, ish-ushtarët e UÇK-së, i paraqet në INTERPOL.

“Pastaj paraqiten në sistem”, pohoi ai, duke shtuar se “duhet që ta gjemë zgjidhjen që të eliminohet si fenomen, jo vetëm për këtë rast”.

Por, vetëm një ditë pas kësaj deklarate, Ramadanit institucionet gjyqësore ia caktuan 30 ditë paraburgim ekstradues.

Ndërsa, të shtunën, pjesëtarë të Shoqatës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në Maqedoni të Veriut, kanë protestuar para Gjykatës Themelore të Shkupit, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të ish-ushtarit të UÇK-së.

Protestuesit që ishin mbledhur para gjykatës, kanë kërkuar që Maqedonia e Veriut të mos bie nën diktatit e Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiç, kundër ushtarëve të UÇK-së.

“Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, dhe dërgimi në paraburgim ekstradues nga policia maqedonase dhe gjykata vendore është i papranueshëm. Ne veteranët dhe bashkëluftëtarët e tij kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe tërheqjen e urdhërarrestit të Vuçiç-it…”, tha një protestues.

Ky akt 25 vjet pas luftës së drejtë të shqiptarëve për liri, barazi, demokraci dhe pavarësi, shtoi ai, është i papranueshëm dhe “ne kërkojmë lirimin menjëherë, pa asnjë vonesë dhe kthimin në familjen e tij”.

Në një konferencë për media, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se është në komunikim me autoritetet në RMV për lirimin e Ramadanit.

“Jemi në komunikim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe me sektorët përkatës atje në mënyrë që të marrim vesh më shumë për shtetasin e Kosovës i cili po mbahet në paraburgim atje dhe që mos të ketë nënshtrim ndaj agresivitetin të Serbisë kundër Kosovës që reflektohet edhe në fletarrestime të tilla për qytetarët tanë”, potencoi Kurti.

Ky nuk është rasti i vetëm kur autoritetet e Maqedonisë së Veriut arrestojnë ish-ushtarë të UÇK-së, për shkak të fletarresteve nga Serbia.

Në vitin 2016, pikërisht për shkak të flearrestit nga Serbia, ishte arrestuar në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Gafurr Elshani.