Agjencia Evropiane e Barnave po vlerëson përdorimin e vaksinës Pfizer te fëmijët

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) njoftoi sot se ka filluar vlerësimin e kërkesës së Pfizer dhe BioNTech për të aplikuar vaksinën e tyre te fëmijët e moshës 12 deri 15-vjeç.

Bëhet fjalë për zgjatjen e miratimit për përdorimin e vaksinës së tyre dhe EMA do të vlerësojë të dhënat e paraqitura nga Pfizer dhe BioNTech nën procedurën e përshpejtuar dhe pritet që ajo të marrë një vendim në qershor, përveç nëse nevojiten informacione shtesë, tha agjencia në një deklaratë, transmeton AP.

Pfizer dhe BioNTech konfirmuan të premten se ata kanë paraqitur një kërkesë në Agjencinë Evropiane të Barnave (EMA) për të zgjatur përdorimin e vaksinës së tyre kundër koronavirusit te fëmijët e moshës 12 deri 15-vjeç, dhe në fillim të këtij muaji ata paraqitën një kërkesë të ngjashme tek autoriteti rregullator shëndetësor i SHBA-së për vaksinën e tyre, e cila tashmë është aprovuar për përdorim te njerëzit mbi 16-vjeç si në SHBA ashtu edhe në Bashkimin Evropian.

Kërkesa e tyre bazohet në rezultatet pozitive nga një studim klinik në fazën e vonë që përfshiu 2.260 pjesëmarrës të moshës 12 deri 15-vjeç, thanë kompanitë.