Arrestohet drejtori i bankës në Tiranë, i vodhi 30 mijë dollarë klientit

Drejtori i një banke të nivelit të dytë në Tiranë është arrestuar pasi ka vjedhur një shumë parash në llogarinë rrjedhëse të një klienti. Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vënë në pranga shtetasin Florant Nako 35-vjeç.

Nako akuzohet se ka vjedhur në llogarinë rrjedhëse të një klienti, një shumë prej 30.000 dollarësh amerikanë.

Njoftimi i policise: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Bankieri”.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Ndalohet një 35-vjeçar, pasi duke shpërdoruar detyrën, ka vjedhur një shumë parash në llogarinë rrjedhëse të një klienti.

Nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, si rezultat i një hetimi disamujor është bërë i mundur finalizimi i operacionit të koduar “Bankieri”, në kuadër të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit F. N., 35 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas, duke shfrytëzuar pozicionin e tij si drejtor i një filiali të një banke të nivelit të dytë, ka vjedhur në llogarinë rrjedhëse të një klienti, një shumë prej 30.000 dollarësh amerikanë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” .