Banori i “Lagjes së Boshnjakëve” tregon për gjendjen aktuale, pas aksionit të policisë në Mitrovicën e Veriut

Policia e Kosovës sot në orët e hershme të mëngjesit ka nisur një operacion kundër mallrave të kontrabanduara.

Gjatë aksionit në veri të Mitrovicës, policia e Kosovës është sulmuar nga persona të paidentifikuar.

Gëzim Alushi, banor i “Lagjes së Boshnjakëve”, ka treguar për Zëri.info se për momentin gjendja është e qetë.

“Pati incidenteve më herët, por për momentin situata është e qetë. Jam te ‘Lagjja e Boshnjakëve’ përballë Prokurorisë. Lokalet janë mbyllur të gjitha. Policia e Kosovës vazhdon të jetë prezente, kurse njerëzit po rrinë të qetë në rrugë”, tha Alushi.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka nisur sot një operacion në disa lokacione të ndryshme, ku bëjnë pjesë katër rajone të Kosovës, si Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugore dhe Mitrovicë Veriore, ku është goditur rrjeti i kontrabandës.

Aktualisht, aksioni është duke u zhvilluar në Zveçan, ku siç raportohet, situata është e tensionuar, siç ishte më herët edhe në veri të Mitrovicës.