Barcelona distancohet nga titulli, barazim edhe me Atleticon

Barcelona nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë në derbin përballë Atletico Madrid, duke barazuar 2:2 në ‘Camp Nou’, për të mbetur pas Real Madridit në renditjen tabelare, që të enjten në shtëpi pret Getafen.

Një autogol i Diego Costas, i dhuroi epërsinë prej 0-1 Barcelonës në minutën e 11’, shkruan lajmi.net.

Në minutën e 19’, rezultati u barazua në 1:1, kur mesfushori Saul shënon nga penalltia.

Edhe dy golat e tjerë që u shënuan në vazhdimin e kësaj ndeshje, erdhen si pasojë e penalltive.

Fillimisht Lionel Messi, që në minutën e 50’ me një ‘panenkë’ riktheu epërsinë e Barcelonës në 2:1, për golin e 700-të në karrierë.

Por, kjo epërsi nuk zgjati më shumë se 12 minuta, me Saul që shënoi edhe golin e dytë nga penallita, për 2:2, që doli të jetë edhe rezultati përfundimtar i ndeshjes.

Ky barazim, e lë Barcën pas Real Madridit me një pikë më pak, me ‘Los Blancos’ që mund të shkojnë në +4, nëse të enjten mposhtin Getafen.