Bayerni fiton Kupën e Gjermanisë

Finalja e Kupës së Gjermanisë, e luajtur në Berlin, i ka takuar skuadrës së Bayern Munich, e cila dominoi Bayer Leverkusenin, duke e mposhtur me rezultatin 2:4.

Bavarezët vepruan shpejtë dhe arritën të zhbllokojnë rezultatin qysh në minutën e 16’, kur David Alaba shënoi për 0:1.

Tetë minuta më vonë, Serge Gnabry vërtetoi se Bayern ishte aty me synimin e qartë – fitoren në këtë finale – duke realizuar për 0:2.

Fitoren e Bayern e vulosi Robert Lewandowski, kur në minutën e 59’ shënoi për 0:3, duke i dhënë qetësinë maksimale skuadrës së tij.

Leverkusen gjeti golin e parë me anë të Sven Bender, i cili realizoi për 1:3 në minutën e 63′. Lewandowski ndali gëzimin e ‘Aspirinave’ duke u kundërpërgjigjur përsëri në minutën e 89′, kurse rezultatin final e vendosi Kai Havertz, kur në minutën e 95′ shënoi nga penalltia për 2:4.

Me këtë fitore në finalen e Kupës së Gjermanisë, Bayern shton edhe një trofe në kabinet. Ky është i dyti për këtë edicion, pas Bundesligës.

Bavarezët garojnë edhe në Ligën e Kampionëve, dhe kanë mundësinë e mirë për tripletën.