BDI: Lehtësuam dhe thjeshtësuam marrjen e nënshtetësisë, sot më pak se 1.300 persona janë në procedurë

Bashkimi Demokratik për Integrim njofton qytetarët për të dhënat e viteve të fundit në lidhje me ndryshimet ligjore dhe institucionale për marrje të shtetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut por edhe do të sqaroj pretendimet e pa qëndrueshme të opozitës shqiptare lidhur me numrat e personave që nuk posedojnë dokumentin e shtetësisë.

E vërteta rreth procedurave të lehtësimit të marrjes së nënshtetësive gjatë viteve të kaluara është si vijon:

Gjatë vitit 2004 ndryshuam Ligjin për shtetësi, me çka u mundësuam qytetarëve tanë marrje të dokumentit të shtetësisë përmes prezantimit të një dokumenti, qoftë ajo dëftesë e shkollës apo ndonjë faturë e paguar e energjisë elektrike, ujësjellësit, ngrohtores apo ndaj ndonjë institucioni shtetëror.

Gjatë kësaj periudhe ne gjithashtu ulëm periudhën e qëndrimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut si kusht për marrjen e shtetësisë. Në vend se një qytetarë të pres 15 vite, ne e bëmë që kjo periudhë kohore të ulet në vetëm 8 vite.

Katër vite më vonë, apo gjatë vitit 2008 përsëri intervenuam në Ligjin e shtetësisë.

Aso kohe krijuam mundësi që një qytetarë i cili nuk është gjykuar së paku 1 vjet burg, të mund të aplikojë dhe të marr dokumentin e nënshtetësisë.

Në vitin 2011 Ligjin për shtetësi e plotësuam sërish. Me këtë qytetarëve iu mundësuam që të mund të parashtrojnë ankesa para Gjykatës Administrative nëse ata vlerësojnë se Ministria e Punëve të Brendshme me pa të drejtë i ka refuzuar, përkatësisht ua ka hedhur poshtë kërkesën për pajisje me dokumentin e shtetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Gjatë vitit 2016 Ligji për shtetësi pësoi përsëri ndryshim, gjithnjë një favor të qytetarëve të cilët aso kohe ishin në pritje të shtetësisë.

Me këtë ndryshim obliguam zyrtarët e MPB-së që më me efikasitet dhe më shpejtë të sigurojnë prova për plotësimin e kushteve për personat në pritje të nënshtetësisë.

Para dy viteve, gjegjësisht në vitin 2019 ne miratuam Ligjin për Agjencinë për Siguri Nacionale me të cilin e reformuam Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim e cila ishte një ndër vështirësitë më të mëdha për marrjen e shtetësisë.

Gjithashtu me këtë rast inspektorëve të shërbimit sekret iu morën autorizimet policore, kurse kuadri i ri i këtij institucioni u përzgjodh pas kalimit të procesit të Vettingut.

Tashmë, qytetarët që janë në pritje të pajisjes me nënshtetësi kanë qasje tek dokumentacioni me të dhënat e mbledhura dhe të përpunuara për ta nga ana e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, me çka ata mund të shohin saktë se deri ku është procedura/lënda e tyre.

Për në fund dëshiroj që edhe njëherë ta bëj publik numrin e vërtetë të personave të cilët janë duke pritur që të pajisen me dokumentin e nënshtetësisë.

Deri në këtë moment në procedurë për marrje të këtij dokumenti janë 2.674 persona nga të cilët më pak se gjysma janë shqiptarë.

Rrjedhimisht, që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në 30 vitet e fundit, gjithsej 43.321 shqiptarë kanë marrë dokumentin e nënshtetësisë dhe vetëm 3.374 prej tyre janë refuzuar.