Berat Ajdari i BDI-së: Spiunimi i kryetarit të Vrapçishtit, akt i shëmtuar

Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Berat Ajdari ka kërkuar përgjegjësi morale nga ana e kryetarit të komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani si dhe nga kryetari i Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela dhe partneri i tij i koalicionit Afrim Gashi në lidhje me aktin e turpshëm që ka bërë kryetari i komunës në fjalë ndaj qytetarëve të tij.

“Sot para jush kam dalë të kërkojë përgjegjësi morale nga kryetari i komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani i cili përmes një shkrese skandaloze që i ngjason atyre të periudhës së komunizmit ka spiunuar banorët e komunës së Vrapçishtit duke i akuzuar për vepra të cilat lidhen kinse me veprime kundër ligjore. Me këtë rast, ne si grup parlamentar i partisë më të madhe shqiptare dhe bartëse e përgjegjësisë nga ana e qytetarëve, Bashkimi Demokratik për Integrim kërkojmë nga autoritetet koalicionit opozitar, përkatësisht Aleanca për Shqiptarët pjesë e të cilës është kryetari i komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, të veprojë pa asnjë vonesë, por edhe të distancohen nga veprimi i anëtarit të tyre i cili nuk i ngjason një kryetari që ka marrë besimin e qytetarëve”, është shprehur Ajdari.

Deputeti i BDI-së, Berat Ajdari gjithashtu ka thënë se si ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, njëjte si të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm, shpreh indinjatë ndaj veprimit kontrovers të kryetarit të komunës së Vrapçishtit, të cilit i pengon edhe simboli i shenjtë i shqiptarëve, shqiponja dy krenare.

“Që ky akt të jetë akoma më i turpshëm, Isen Shabani autoriteteve policore u është drejtuar vetëm në gjuhën maqedonase duke mos respektuar Ligjin e dygjuhësisë duke anashkaluar të njëjtin zbatimin e të cilit e kërkojnë ditë e natë. Kryetari i lartpërmendur duke keqpërdorur pozitën e tij përmes një shkrese dërguara autoriteteve policore ka bërë denoncimin e disa banorëve të fshatit Negotinë të komunës së Vrapçishtit gjoja se ata në mënyrë të paligjshme, brenda natës në objektin e komunës në fshatin Negotinë kanë vendosur shqiponjën dy krenare”, ka deklaruar Ajdari.

Deputeti Berat Ajdari gjithashtu ka ftuar kryetarët e koalicionit opozitar Zijadin Sela dhe Afrim Gashi, që të dalin publikisht të sqarohen mbi rastin në fjalë, tu kërkojnë falje shqiptarëve e njëkohësisht edhe të dënojnë këtë akt të kreut të komunës së Vrapçishtit.

Sipas Ajdari akt i Isen Shabanit tregon fytyrën e vërtet të atij dhe të bashkë partiakeve bashkë me patriotizmin e rrejshëm që mundohen ta shesin tek qytetarët shqiptar.