Buzallakova e Velesit i thotë PO politikave të BDI-së

Nisi me punë shtabi qëndror i BDI-së në fshatin shqiptar Buzallakovë të Komunës së Velesit, rajon ky i njësisë zgjedhore numër 3.

Shqiptarët e kësaj ane gjatë hapjes së shtabit u shprehën të zhgënjyer nga përçarja e shqiptarëve në shumë parti. Ata thonë se do t’i mbeten besnik politikave të Ali Ahmetit dhe që në vendbanimin e tyre ata nuk do të lejojnë më përçarje të shqiptarëve.

Prezent gjatë hapjes së shtabit zgjedhor në Buzallakovë ishin drejtori i Agjencisë për Investime Gafar Jusufi, zv/drejtori për Zhvillim rural dhe bujqësi Abdulselam Selami, zv/drejtori i Drejtorisë së të Hyrave Publike Remzi Abdullai dhe zv/drejtori i Agjencisë së Kadastrës Musa Ibrahimi.

Të gjithë përfaqësuesit e BDI-së njëzëri para banorëve të Buzallakovës thanë se nuk kanë ardhur në këtë rajon të premtojnë gjëra që nuk mund të realizohen, por që janë këtu për të dëgjuar për hallet dhe problemet reale me të cilat ballafaqohen këta banorë shqiptar të kësaj ane.

Bartësi i Listës në njësinë zgjedhore numër 3, Bekim Neziri banorëve të Buzallakovës u dha një porosi të veçantë: Nëse dëshironi të përfaqësoheni nga shqiptarët, mos u përçani, mos votoni kandidatë të partive politike maqedonase se një të tillë e keni dhe nuk ia keni dëgjuar zërin.

“Prioritet i BDI-së për Buzallakovën do të jetë përmirësimi i kushteve të jetesës. Shkolla Fillore “Vasill Gllavinov” e cila është shkollë periferike, njëherë e përgjithmonë do të shkëputet nga Velesi dhe do të udhëhiqet nga kuadër shqiptar i këtij vendbanimi. BDI ka edhe shumë gjëra për të bërë për shqiptarët e kësaj ane, pasi ua ka borxh këtë. Ali Ahmeti është VENDIMTAR në këtë drejtim, asnjë shqiptarë nuk do të ndjehet më jetim, në veçanti shqiptarët e Velesit përkatësisht fshatrave shqiptare që gravitojnë në këtë anë”, tha para banorëve të Buzallakovës, bartësi i listës nga rradhët e BDI-së në njësinë zgjedhore numër 3, Bekim Neziri.