Cakaj në Romë për riatdhesimin e 120 shqiptarëve të bllokuar nga mbyllja e kufijve

Pas një pune të shkëlqyer të strukturave të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Përfaqësive të Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Ministrinë e Brendshme, ka nisur sot operacioni për riatdhesimin e shqiptarëve të bllokuar jashtë vendit, për shkak të situatës që krijoi pandemia e COVID-19, me mbylljen e kufijve.

Nëpërmjet “Lasgushit” të vënë në dispozicion për kryerjen e këtij operacioni, vetë ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj po udhëton drejt Romës, për të siguruar përmbylljen e të gjithë procedurave dhe për të siguruar sjelljen e 120 shqiptarëve drejt atdheut të tyre.

Operacioni do të vijojë gjatë gjithë javës duke bërë të mundur kthimin e shqiptarëve të mbetur në shtete të ndryshme, nëpërmjet rrugëve tokësore dhe ajrore.

Rikthimi i qytetarëve, sipas prononcimit të MEPJ, do të bëhet sipas tre kategorive në të cilat përfshihen: qytetarët shqiptarë që kanë qëndruar më shumë se 90 ditë në vendet ku ata janë bllokuar, studentët shqiptarë në vendet ku ata studiojnë dhe rastet humanitare.