Dimitrov: Situata nuk po merret seriozisht, edhe përskaj 1.331 persona janë larguar nga vendi

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, mbrëmë është deklaruar në rrjetet sociale në lidhje me mosrespektimin e apelit ndaj qytetarëve që të mos udhëtojnë jashtë vendit për shkak të situatës me pandemisë e virusit korona..

“Kam apeluar që të mos udhëtohet jashtë vendit. Prej dje në mesditë deri në mëngjes numri i shtetasve të Maqedonisë së Veriut të cilët kanë dalë nga vendi është 1.331”m theksoi ministri.

Ai thotë se nuk dëshiron që të hyjë në motivet, pasi që ndoshta bëhet fjalë për udhëtime të ndjeshme, por theksoi se qytetarët duket se nuk e kanë shumë të qartë situatën në rajon, Evropë dhe botë.

“Shtetet i vendosin rampat vazhdimisht, po mbyllen aeroportet, po ndryshohen regjimet e kufijve, ndalohet hyrja e shtetasve të huaj, ndryshohet rregullat në çdo orë. Në kushte të krizës së madhe globale, me paparashikueshmëri të plotë në bazë ditore, ne absolutisht nuk mund të garantojmë se do të mundeni të ktheheni në shtëpi atëherë kur keni planifikuar”, theksoi ministri i cili edhe njëherë apeloi deri te njerëzit që t’i anulojnë të gjitha udhëtimet.