Ekonomia kineze vijon mëkëmbjen e fortë në tremujorin e dytë

Treguesit dhe parashikimet e fundit tregojnë se ekonomia e Kinës po zgjerohet më shpejt në tremujorin e dytë pas një rritje të fortë në tremujorin e parë.

Sipas ekspertëve, shtimi i shpenzimeve të konsumatorit, lulëzimi i veprimtarisë së prodhimit dhe investimet në rritje në infrastrukturë luajnë një rol të madh në nxitjen e rritjes.

Të dhënat zyrtare tregojnë se vëllimi i shitjeve për produktet e konsumit u rrit me 34 për qind në tremujorin e parë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kryeekonomisti Wang Zhe i think-tankut “Caixin” në Pekin tha se konsumi do të vazhdojë të jetë një nxitës i madh i rritjes pasi shpenzimet për produkte jo-thelbësore vijojnë prirjen rritëse dhe sektori i shërbimeve në fushën e hoteleri-turizmit ka regjistruar një shërim të shpejtë.

“Së pari, mendoj se është konsumi ai që ka treguar vrull më të fortë pas (përfundimit të pandemisë në Kinë). Rimëkëmbja e mbështetur nga konsumatori, në veçanti, ka të ngjarë të përshpejtohet. Shpenzimet për shërbime që kërkojnë kontakt personal ende nuk janë rikuperuar në nivelet para-pandemike, prandaj ka vend për rritje. Rezervimet në disa platforma udhëtimi përpara festës së Ditës Ndërkombëtare të Punës kanë treguar rritje më të shpejtë”.

Ndërkohë shifrat nga sektori i prodhimit gjithashtu treguan shenja inkurajuese të rimëkëmbjes në muajin e parë të tremujorit të dytë.

Aktiviteti prodhues i Caixin ose Markit PMI u rrit në 51.9, më i larti për këtë vit, duke treguar që prodhimi po rimëkëmbet me një ritëm më të shpejtë.

Shifrat e fundit të rasteve me COVID-19 në disa vende të botës dhe shpërndarja e pabarabartë botërore e vaksinave po shton gjithashtu pasiguritë e jashtme me të cilat përballet ekonomia kineze. Vitin e kaluar, Kina ndërmori një sërë masash duke përfshirë uljen e taksave për të stimuluar rimëkëmbjen ekonomike.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar se ekonomia e Kinës do të rritet me 8.4 për qind kët vit.