Enis Bardhi: Kualfikimi në EURO s’paguhet me premio

Reprezentuesi shqiptarë i Maqedonisë së Veriut është lojtar kyç në ekipin përfaqësues dhe te skuadra e tij Levante në Spanjë. Një lojtar model dhe shumë punëtor në fushë, por që s’flet shumë jashta terrenit dhe atë pak që thotë, e shpreh me fjalë shumë të zgjedhura. Së fundmi shkupjani foli për “Super Sport” në lidhje me sukseset e fundit me klubin dhe shansin që me Maqedoninë e Veriut të luajë në Kampionatin Europian. I pyetur nëse futbollistët kanë marrë premtime për premio në rast të kualfikimit, Bardhi do të shprehej me shumë klas.

“Kualifikimi në EURO nuk mund të paguhet me para dhe asnjë premio nuk mund të jetë mbi dëshirën e një sportisti për të qenë pjesë e një eventi madhor. Sigurisht se është folur dhe me rregullore kemi të caktuar premion që na takon në rast të kualifikimit, por personalisht e them se kjo pak rëndësi ka. Kur je para këtij suksesi, asgjë shtesë nuk mund të duhet për të qenë 100% i karrikuar që të japësh më të mirën nga vetja për të prekur kualifikimin, që do të ishte një sukses historik për përfaqësuesen dhe që aksush më parë nuk e kishte arritur te ne. Kam luajtur me U21 në Europian, e dij atë ndjenjë dhe uroj ta provojmë edhe me përfaqësuesen A. Edhe pse duhet potencuar se ndeshja me Gjeorgjinë do të jetë e vështirë dhe do duhet maksimumi i të gjithëve për të arritur kualifikimin”, është shprehur Enis Bardhi, i cili është autori i golit të parë për një përfaqësuese të futbollit të Maqedonisë së Veriut në një Kampionat Europian, pasi në Euro 2017 për të rinjë në Poloni shënoi golin e parë në barazimin 2:2 të takimit Maqedoni U21-Serbi U21.