Fatmir Besimi premton rroga dinjitoze dhe vende të reja pune

Kthim sa më i shpejtë në rrugën e cila do të sjellë rritje solide ekonomike, me shkallë prej 4-5 për qind, rroga dinjitoze, krijim të vendeve të punës, ulje të papunësisë. Këto janë disa nga prioritetet e misionit të mandatit të ministrit të Financave, Fatmir Besimi, i cili i prezantoi sot në konferencë për shtyp, duke shtuar se kjo nuk do të jetë e lehtë dhe se gjendja është serioze për shkak të paqartësisë së krizës shëndetësore dhe se është i mundur korrigjim i projeksioneve fillestare për këtë vit për rritjen e ekonomisë.

“Detyrë e jona është edhe sa më shpejtë të kthehemi në rrugën, e cila do të sjellë rritje solide ekonomike, rroga dinjitoze, krijim të vendeve të punës dhe ulje të papunësisë, politikë të parashikueshme tatimore dhe në përgjithësi, të ardhme evropiane këtu, për qytetarët tanë”, tha Besimi duke shtuar se për këtë është obliguar para Parlamentit dhe para vetes personalisht kur ka pranuar të jetë ministër i Financave.

Është i bindur se do të përfundojë me sukses misioni i tij, por vlerëson se nuk do të jetë lehtë.

“Gjendja është mjaft serioze, posaçërisht që është e madhe paqartësia për shkak të krizës shëndetësore. Në gjysmën e parë të vitit ka rënie reale të aktivitetit ekonomik prej 6,4 për qind. Në pajtim me ribalancin, i cili është bërë në maj, të ardhurat janë shkurtuar për 11,5 për qind në raport me buxhetin inicial. Borxhi shtetëror në fund të tremujorit të dytë këtë vit paraqiste 50,7 për qind të BPV-së. Varësisht nga zgjerimi i krizës shëndetësore, është e mundur të ketë korrigjim adekuat të rritjes së projektuar ekonomike në periudhën që vijon, por më me rëndësi është t’i ruajmë segmentet e ndjeshme tek qytetarët dhe ekonomia”, theksoi Besimi. Theksoi se tashmë me ekipin e ti o punon aktivisht në masa dhe politika që mundësojnë mbështetje të ripërtëritjes së rritjes së qëndrueshme dhe inkluzive, përfitimet nga të cilat do t’i gëzojnë sa më shumë qytetarë.