Fjalimi historik i Victor Hugo me rastin e 100 vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit dhe filozofit të shquar francez Voltaire

Nga Aurenc Bebja*, Francë

Më 30 maj 1778 u nda nga jeta në moshën 84 vjeçare shkrimtari dhe filozofi i shquar francez Voltaire (François-Marie Arouet).

Me rastin e 100 vjetorit të ndarjes nga jeta të “njeriut të shekullit të XVIII”, gazeta “Le Rappel” ka botuar, të shtunën e 1 qershorit 1878, në ballinë, fjalimin historik që i është dedikuar asokohe nga shkrimtari dhe politikani i shquar francez, Victor Hugo, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Portret i Victor Hugo nga Nadar (rreth 1884).
100 VJETORI I VOLTAIRE
FJALIMI I VICTOR HUGO

Si sot njëqind vite më parë një njeri vraponte. Vdi q i pav dekshëm. U largua me vitet, veprat, përgjegjësitë më të ndritshme dhe më të frikshme, përgjegjësinë e ndërgjegjes njerëzore të paralajmëruar dhe të korrigjuar. Ai u largua i mallkuar dhe i bekuar, i mallkuar në të kaluarën, i bekuar nga e ardhmja, dhe këto janë, zotërinj, dy format e shkëlqyera të lavdisë. Ai kishte në shtratin e tij të vdekjes, në njërën anë, brohoritjen (dashamirësinë) e bashkëkohësve dhe të brezave, në anën tjetër, këtë triumf të fishkëllimës dhe urrejtjes që e kaluara e pamëshirshme u rezervon atyre që luftuan kundër saj. Ai ishte më shumë se një njeri, ishte një shekull. Ai kishte ushtruar një funksion dhe kishte përmbushur një mision. Ai ishte zgjedhur padyshim për punën që kishte bërë falë vullnetit suprem i cili manifestohet si dukshëm në ligjet e fatit (të ardhmes) ashtu edhe në ato të natyrës. Tetëdhjetë e katër vitet që ky njeri jetoi përfshijnë intervalin që ndan monarkinë në kulmin e saj nga revolucioni në agimin e tij. Kur lindi, Luigji XIV ishte ende mbret, kur vdiq, Luigji XVI mbretëronte tashmë, në këtë mënyrë djepi i tij arriti të shohë rrezet e fundit të fronit të madh dhe arkivoli i tij, dritat e para të humnerës së madhe. (Duartrokitje.)

Zotërinj, para se të shkoj më tej, le të biem dakord, për fjalën humnerë; ka humnera të mira; këto janë humnerat ku bie e keqja. (Te lumtë!)

Zotërinj, pasi u ndalova pak çaste, më mirëkuptoni që duhet të përfundoj mendimin tim. Asnjë fjalë e pakujdesshme ose djallëzore nuk do të flitet këtu. Ne jemi këtu për mbajtur një qëndrim qytetar. Ne jemi këtu për të pohuar progresin, për të mirëpritur mirëbërjen e filozofisë (filozofëve), për t’i dëshmuar shekullit të XVIII mirënjohjen e atij të XIX, për të nderuar luftëtarët madhështorë dhe shërbëtorët e mirë, për të uruar përpjekjen fisnike të popujve, industrisë, shkencës, marshimin e guximshëm përpara, punën, për të çimentuar harmoninë njerëzore, me një fjalë për të lavdëruar paqen, këtë vullnet sublim universal. Paqja është virtyt i civilizimit, lufta është krim. (Duartrokitje.) Ne jemi këtu, në këtë moment madhështor, në këtë orë solemne, për tu përulur me besim para ligjit moral dhe t’i themi botës që dëgjon Francën, këtë : Ka vetëm një fuqi, vetëdija në shërbim të drejtësisë; dhe ka vetëm një lavdi, gjenia në shërbim të së vërtetës. (Lëvizje.)

Pas kësaj, dua të vazhdoj.

Zotërinj, para Revolucionit, ndërtimi shoqëror ishte ky :

Poshtë, populli;

Mbi popullin, feja e përfaqësuar nga kleri,

Krahas fesë, drejtësia e përfaqësuar nga gjyqësori.

Dhe, në atë kohë në shoqërinë njerëzore, kush ishte populli ? Ishte injoranca (padituria). Cila ishte feja ? Ishte rreptësia (ndëshkimi). Dhe çfarë ishte drejtësia ? Ishte padrejtësia.

A po shkoj shumë larg me fjalët e mia ?

Do ta kufizoj veten duke cituar dy fakte, por vendimtare.

Në Toulouse, më 13 tetor 1762, ne gjejmë në bodrumin e një shtëpie një djalë të ri të varur. Turma u rebelua, kleri u nxeh, gjyqësori informoi.

Ishte një vetëvrasje, por e shpallën vrasje. Për cilin interes ? Në interes të fesë. Dhe kë po akuzonin ? Babain. Ishte një protestant (huguenot), dhe donte të pengonte djalin e tij që të bëhej katolik. Ekziston një lloj makabre morale dhe pamundësie materiale; broçkulla ! ky baba vrau djalin e tij, ky plak ka varur këtë djalë të ri. Drejtësia punoi, dhe doli me këtë përfundim. Më 9 Mars 1762, një burrë me flokë të bardha, Jean Calas, u soll para një sheshi publik të cilin, e zhveshën lakuriq, e shtrinë mbi një rrotë, i lidhën gjymtyrët dhe e varën me kokën poshtë. Tre burra gjendeshin aty, mbi podium, një gjykatës, i quajtur David, i ngarkuar që të kujdesej për të tortëruarin, një prift, i cili mbante kryqin dhe xhelati, me një shufër hekuri në dorë. I pandehuri, i çuditur dhe i tmerruar, nuk shikonte priftin por xhelatin. Xhelati ngre lart shufrën e hekurt dhe i thyen krahun. Viktima ulërin dhe i bie të fikët. Gjykatësi nxitohet t’i japë të dënuarit të nuhasë disa kripëra, kështu ai bëhet i vetëdijshëm; pastaj prapë një goditje tjetër me shufrën, ulërimë e re, Calas humb sërish vetëdijen; e zgjojnë dhe xhelati fillon përsëri; dhe për faktin se secila gjymtyrë duhej thyer në dy vende, ai merr dy goditje çdo herë, pra gjithsej tetë. Pas humbjes së ndjenjave për të tetën herë, prifti i ofron atij kryqin që ta puthë, Calas i kthen kokën, dhe xhelati i jep goditjen e fundit, domethënë, i shtyp gjoksin me skajin e madh të shufrës së hekurt. Kështu dha frymë Calas. Kjo zgjati dy orë. Pas vdekjes së tij, u shfaqën provat e vetëvrasjes. Por një atentat ishte kryer. Nga kush ? Nga gjykatësit. (Reagim. Duartrokitje.)

Fakt tjetër. Pas plakut, një djalë i ri. Tre vite më vonë, në 1765, në Abbeville, të nesërmen e një nate të stuhishme dhe me erëra të forta, mbledhin për tokë mbi trotuarin e një ure një kryq të vjetër, i cili për tre shekuj ishte gozhduar (vënë) mbi një parapet (mur). Kush e hodhi përtokë këtë kryq ? Kush e bëri këtë sakrilegj ? Nuk e dimë. Ndoshta një kalimtar. Ndoshta era. Kush është fajtor ? Peshkopi i Amiens lëshon një hetim fetar. Ja çfarë është hetimi fetar : është një urdhër për të gjithë besimtarët, nën dënimin e ferrit, të thonë atë që dinë ose mendojnë se dinë për këtë apo atë fakt; rendi vrastar i fanatizmit deri në injorancë. Hetimi fetar i peshkopit të Amiens funksionon, zmadhimi i thashethemeve merr përmasat e denoncimit. Drejtësia zbulon, ose pretendon se ka zbuluar, se natën kur kryqi ra përtokë, dy burra, dy oficerë, njëri me emrin Labarre, tjetri Etallonde, kaluan mbi urën e Abbeville, ndërsa ata ishin të dehur dhe këndonin një këngë rojesh ushtarake. Gjykata e Abbeville është kompetente për këtë çështje. Gjykatësit e Abbeville vlejnë një lloj si ata të Toulouse. Ata nuk janë më shumë të drejtë, kështu lëshuan dy urdhër-arreste. D’Etallonde u shpëtoi (u arratis), Labarre u kap. E çuan para hetimit gjyqësor. Ai mohon të ketë kaluar mbi urë, por pranon se ka kënduar këngën. Gjykata e Abbeville e dënoi, por ai apeloi në parlamentin e Parisit. E çojnë në Paris, por dënimi u duk i drejtë dhe e konfirmuan. E sjellin përsëri në Abbeville, të lidhur me zinxhirë. Shkurtimisht, momenti i tmerrshëm po afronte ! Fillojnë t’i bëjnë kalorësit Labarre pyetjen e zakonshme dhe të jashtëzakonshme me qëllim që ai të rrëfejë bashkëpunëtorët e tij; por cilët bashkëpunëtorë ? që ka kaluar një urë dhe ka kënduar një këngë; ata i thyejnë një gju gjatë torturës; rrëfyesit të tij, kur dëgjoi të thyheshin kockat, i ra të fikët; të nesërmen, 5 qershor 1766, Labarre tërhiqet zvarrë para sheshit të madh të Abbeville, ku po digjej një turrë me dru; i lexojnë vendimin e dënimit dhe pastaj i presin grushtin, dhe në vijim gjuhën me një copë hekuri, dhe më në fund, për mëshirë, i presin kokën dhe e hedhin në turrën e druve. Kështu vdiq kalorësi Labarre. Ai ishte nëntëmbëdhjetë vjeç. (Moment e gjatë dhe e thellë.)

Pra, o Voltaire, ti shqiptove një klithmë tmerri dhe do të jetë lavdia jote e përjetshme! (Duartrokitje e dyfishuar.)

Kështu ti fillove gjyqin e tmerrshëm të së kaluarës, ti mbrojte kundra tiranëve dhe mostrave çështjen humane, dhe ti ia arrite. Njeri i madh, qofsh përgjithmonë i bekuar! (Duartrokitje e re.)

Zotërinj, gjërat e tmerrshme që sapo kujtova u realizuan në mes të një shoqërie të sjellshme, jeta ishte e gëzuar dhe e lehtë, vinin dhe shkonin, nuk shikonin as lart e as poshtë vetvetes, indiferenca çoi në pakujdesi, poetë të hirshëm, Saint-Aulaire, Boufflers, Gentil-Bernard, shkruajtën vargje të bukura, oborri ishte plot me ahengje, Versaja shkëlqente, Parisi jetonte në injorancë ; dhe gjatë kësaj kohe, nga egërsia fetare, gjyqtarët vranë një plak mbi një rrotë dhe priftërinjtë shqyen gjuhën e një fëmije për një këngë. (Emocion i madh. Duartrokitje.)