Greqi, masa të reja të rrepta pas shtimit të rasteve me virus

Veshja e maskave është e detyrueshme në të gjitha hapësirat publike të mbyllura edhe përgjatë gjithë muajit gushtit, njoftoi qeveria greke duke prezantuar edhe masa të reja më të rrepta, pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në të gjithë vendin.

Zëvendësministri grek i Mbrojtjes Civile për Menaxhimin e Krizave, Nikos Hardalias tha se vendet e ngrënies, njerëzit me probleme mjekësore si vështirësi në frymëmarrje ose fëmijët nën 3 vjeç janë të përjashtuar nga përdorimi i maskës.

Për më tepër, kufizime dhe masa më të rrepta janë marrë për vizitat në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, për njerëzit në nevojë, qendrat e refugjatëve dhe spitalet.

Ceremonitë për ngjarje të shënuara familjare siç janë pagëzimet, martesat dhe funeralet janë të kufizuara për 100 persona duke mbajtur distancën sociale.

”Përgjegjësia personale ishte dhe është suksesi i fshehtë i Greqisë në këtë pandemi”, tha Hardalias.

“Në këtë fazë të gjithë duhet të shfaqim të njëjtën përgjegjësi dhe vetëdije”, shtoi ai.