Grubi-Bjornstad diskutojnë për zhvillimin e zonës së lirë ekonomike të Tetovës

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe
Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z.Artan Grubi sot në kabinetin e tij
realizoi takim pune me përfaqësuesin special të Ministrisë së Jashtme të
Mbretërisë së Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, z.Arne Bjornstad.

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë z.Grubi iu falënderua z.Bjornstad
për bashkëpunimin e mirë që ka vendi me Mbretërinë e Norvegjisë dhe për
përkrahjen që Republika e Maqedonisë së Veriut e merr nga ky vend mik në
realizimin e suksesshëm të reformave dhe ndihmës  në fushën e biznesit
dhe ekonomisë.

Grubi me këtë rast njoftoi përfaqësuesin e lartë të Ministrisë së
Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë, z.Arne Bjrojnstad se Qeveria e
Republikës së Maqedonisë së Veriut tashmë ka marr vendim afirmativ për
investimin e kontraktuesit privat NORMAK në zonën e lirë ekonomike të
Tetovës.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi gjithashtu ka informuar z.Bjornstad se
tashmë janë përmbushur të gjitha formalitetet nga ana e Qeverisë dhe që
është konfirmuar investimi i kompanisë KIEL në zonën e lirë ekonomike të
Tetovës ku pritet të bëhen mbi 300 punësime.

Bjornstad dhe Grubi biseduan edhe për ngjarjet aktuale politike në
Republikën e Maqedonisë së Veriut por edhe për ngjarjet në rajon.
Përfaqësuesi i lartë i Ministrisë së Jashtme Norvegjeze gjithashtu i tha
Grubit se Mbretëria e Norvegjisë me kujdes po ndjekë të gjitha ngjarjet
në vend dhe që shpreh urimet e tija për procesin e suksesshëm të
reformave në fushat kyçe të vendit.