Hajdari: Do bind deputetët e opozitës të mos votojnë kodin nëse nuk ndryshon sistemi zgjedhor

Beteja për ndryshimin e sistemit zgjedhor nuk është mbyllur për përfaqësuesen e opozitës parlamentare në Këshillin Politik, Rudina Hajdari, pavarësisht se ndryshimet në ligjin elektoral parashikohet të përmbyllen këtë javë.

“Ka akoma kohë, do të vazhdojë këtë betejë deri në momentin e fundit që ajo paketë vjen në parlament”, tha ajo.

Në studion e ABC News mbrëmjen e së martës, përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri  tha se ndryshimi i sistemit është e pamundur të ndodh.

Nga ana tjetër, Rudina Hajdari shprehet se po mobilizohet çdo zë që të bllokohet votimi i paketës në parlament, nëse nuk parashikon ndryshimin e sistemit.

“Janë duke u angazhuar të gjithë, duke folur me çdo deputetë në mënyrë që vota të mos rrjedhë. Deri në moment të fundit nuk i dihet por shikojmë të gjithë anët që të angazhojmë të gjithë aktorët e mundshëm, qoftë dhe shoqërinë civile”, thotë Hajdari.

Pyetjes se nëse ka presion ndaj deputetëve të opozitës që të votojnë pro maxhorancës, ajo iu përgjigj:

“Di që ka një betejë shumë të fortë sepse maxhoranca nuk e do ndryshimin e sistemit”.

Pro qëndrimit të saj Hajdari sheh dhe ish-deputetë të opozitës.

“U duk një moment sikur opozita parlamentare do të bashkohej me një qëndrim me opozitën jashtë parlamentare sa i përket ndryshimit të sistemit. Do të ishte i natyrshëm një bashkim i tillë në momentin që bëhet fjalë për të patur një opozitë më të shëndetshme”, tha ajo.

Të enjten pasdite është mbledhja e radhës së Këshillit Politikë për Reformën Zgjedhore ku do të diskutohen të gjitha çështjet e reformës zgjedhore për të cilat palët nuk kanë gjetur dakordësi deri më tani.