Hakik Ferati emërohet nënkryetar i Federatës së Volejbollit të Maqedonisë

Për herë të parë në historinë e volejbollit të Maqedonisë së Veriut pozitën e njeriut të dytë të Federatës do ta kryejë një shqiptar. Hakik Ferati nga Klubi i Volejbollit Liria e Zherovjanit është emëruar nënkryetar i Federatës së Volejbollit të Maqedonisë së Veriut në Kuvendin Zgjedhor të mbajtur të shtunën (11.07.2020), në të cilën mandat të ri katër vjeçar si president mori Petar Jovanovski.

Ky emërim paraqet vlerësimin e rradhës për përkushtimin e Hakik Feratit ndaj këtij sporti. Bëhet fjalë për punëtorë të dëshmuar sportiv, fanatik i volejbollit, njeri më meritor për ngritjen dhe qëndrimin aktiv të Klubit të Volejbollit Liria nga Zherovjani. Angazhimi i Feratit në një prej pozitave udhëheqëse të volejbollit në vend hap rrugën për vazhdim dhe rritje të kontributit të tij në avansimin e këtij sporti në vendin tonë, ndërsa shqiptarët fitojnë krahun e duhur për të pasur një përfaqësues të denjë në institucionin udhëheqës të volejbollit në Maqedoninë e Veriut.