Hamza Jashari: Synimet e mia janë shumë të mëdha

Xhudo, ndoshta një sport edhe jo shumë i përhapur në vendin tonë megjithatë është shumë i dashur e madje shqiptarët po korrin shumë suksese dhe një i tillë është Hamza Jashari, një djalosh nga Shkupi që po bën namin nëpër botë. Ai vjen për herë të parë në një rrëfim shumë të sinqertë mbi rrugëtimin e tij në këtë sport.

U bënë disa vite që meresh me këtë sport, na thuaj kush të motivon dhe cilat janë pritshmëritë?

Me sportin e xhudos merem që nga viti 2009, motivim më të madh më jep familja më saktësisht babi. Me shumë punë dhe seriozitet pritshmëritë janë shumë të mëdha, ne më shumë i veçojmë këto kampionatet e mëdhaja siç janë europian, botërorë pse jo edhe olimpik.

E ke pasur problem fillimin, baticat zbaticat, përkrahja nga dikush?

Për mua fillimi ne këtë sport ka qenë si nje lojë, argetim që e kam bë prej qejfit derisa kam filluar rrugën profesionale.

Po ndonjë idhull që mendon se ndjek hapat e tij në botë a e ke?

Nuk dua të largohem shumë nëpër botë të përmend emra të ndryshem edhe pse me të vërtetë këto vitet e fundit ka shumë. Me krenari e them idhulli im është Majlinda Kelmendi të cilën më e njeh mbarë bota e sidomos bota e xhudos.

Kush mendon sipas teje po ngjitet fuqishëm në sportin që ti kultivon?

Sikur kjo pytje të më parashtrohej disa vite më herët bindshëm do thoja që në këtë sport zotron Japonia, por tani kemi Kosovën kemi shtetet europiane Francën, Italinë e shumë shtete të ndryshme që kanë korrur suksese të mëdha.

Cilat janë planet që ke planifikuar këtë vit?

Të them të drejtën ky vit sikur mua po edhe të gjithë sportistëve tjerë u ka shkuar si huq për shkak të Pandemisë që është shpërnda në botë dhe të gjithë garat janë anuluar. Të shpresojmë që sa më shpejtë situata të regullohet dhe të gjithë sportistët të fillojnë punën e tyre.

Po çfarë mendon të arrishë në karierë, cilat janë synimet?

Synimet e mia janë shumë të mëdha, më të rëndësishmet janë kampionatet europiane, botërore poashtu nuk dua të mbaroj karierën time pa marrë pjesë në lojërat olimpike edhe pse njëherë kam qenë por për të rrinj në Buenos Aires – Argjentinë.

A mendon se humbja ndonjëherë të kthen prapa apo të bën më të fortë?

Jo nuk mendoj se humbja të kthen prapa për arsye se çdo sportist ka humbje dhe fitore edhe humbja është një pjesë e lojës përkundrazi të bën të kthehesh më i fortë dhe më i motivuar për garën e ardhshme.

Ndryshe me Hamzën:

Çfarë është lumturia absolute për ju?

Lumturia absolute është ajo kur ngjitem atje lartë në majen e piedestalit me të vërtetë një ndjenjë që nuk paguhet me asgjë.

Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?

Unë stërvitem nga dy herë në ditë për atë edhe është njëra prej arsyeve që zgjohem në mengjes pasi që kam ushtrimet e mëngjesit.

Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?

Të them të drejtën unë çdoherë qesh me shpirt me familjarët me shokët me njerëzit që më perkrahin dhe i dua.

Tipari kryesor i karakterit tuaj?

Ndonjëherë këmbëngul si tepër.

Ndaj cilave gabime jeni më tolerante?

Ëm.. mund të them që nuk jam tolerant ndaj gabimeve.

Hera e fundit që u përlotët?

Edhe pse nuk kam qejf që njerëzit të më shohin të përlotur mundohem sa më shumë ti mbaj emocionet, por hera e fundit ka qenë në kampionatin europian ku fitova edhe medaljen e bronztë.

Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?

Deri më tani nuk mund të identifikoj veten me ndonjë personalitet historik.

Udhëtimi juaj i preferuar?

Është ai me familjen edhe pse është shumë rallë për shkak që të shumtën e kohës e kaloj në pregaditje jashtë vendit dhe larg familjes.

Shkrimtarët tuaj më të dashur?

Ismail Kadare.

Cilin virtyt vlerësoni më shumë te një femër?

 Dua që të jetë kokëfortë sikur unë dhe të ketë shumë besim në veten.

Ngjyra juaj e preferuar?

Ngjyra e kuqe.

Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?

Suksesin më të madh deri më tani e kam në kampionatin europian ku kam fituar medaljen e bronztë.

Pija juaj e preferuar?

Më së shumti përdor ujë me gaz.

Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?

Deri më tani nuk ka diçka që jam penduar në jetë.

Çfarë urreni më shumë në këtë botë?

Tradhëtia është ajo që urrej më së shumti.

Frika juaj më e madhe?

Kam frikë vetëm nga Zoti.

Keni dhënë ndonjëherë rryshfet?

Nuk më ka ndodh rasti të jap rryshfet askund.

Cila është motoja juaj?

Hard work + Dreams + Dedication = Success.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Do doja të vdisja faqebardhë që të nesërmen njerëzit mos të më marin në gojë të keqe.

Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t’i thoshit?

Njeriu duhet të lut Zotin për qëndrushmëri edhe nëse e njeh të vërtetën, punon me të dhe e beson atë.