Hoti: Dialogu pa mua ska kuptim , unë do ta kryesojë

Qeveria e Kosovës po mban mbledhjen e radhës, ku kryeministri Avdullah Hoti me të nisur mbledhjen foli për propozim-aktakuzën e Zyrës së Prokurorisë Speciale, e gjithashtu për vendimin e Kushtetueses për Ligjin për Paga.

Për dialogun ka thënë se nuk ka alternativë tjetër dhe se Kosova është e gatshme ta rinisë. Gjithashtu, ka thënë se ai do të udhëhiqet nga kryeministri.

Hoti për njoftimin e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, tha se “Institucionet e Kosovës kanë treguar dhe po tregojnë maturi në trajtimin e kësaj çështje”.

“Ne mbesim me qëndrimin që lufta çlirimtare e popullit të Kosovës është e pastër dhe nuk mund të gjykohet. Pavarësisht zhvillimeve që ndodhin dialogu nuk ka alternativë. Kosova është e përgatitur për këtë proces. Është bërë një punë e madhe në qeveritë e kaluara që gati është duke u sistemuar”, tha Hoti, raporton KOHA.

Hoti gjithashtu ka shtuar se “Tani jemi duke punuar që të kompozojmë një delegacion shtetëror për këtë proces sigurisht të kryesuar nga kryeministri”.

Qeveria e Kosovës, gjithashtu mori vendim që të themelojë këshillin e ekspertëve për dialog me Serbinë.

“Ky këshill do të veprojë në kuadër të Zyrës së Kryeministri. Përmes këtij vendimi do të caktohet edhe koordinatori shtetëror për dialog i cili do të bëjë koordinimin e këshillit”, tha Hoti.

Sa i përket vendimit për shpalljen të pavlefshme të Ligjit për Paga, Hoti tha se “Ne shprehim zotimin për fillimin e shpejtë të procedurave të adresimit të vërejtjeve të GJK dhe ta procedojmë në Kuvend”.