Interi e prezanton trajnerin e ri nesër

Simone Inzaghi dhe patroni i Lazios, Claudio Lotito, kanë arritur marrëveshje për lamtumire dhe italiani është i lirë tashmë për t’u prezantuar si trajneri i ri i Interit të enjten.

Presidenti Lotito nuk e kishte lejuar Inzaghin t’i bashkohej Interit formalisht deri tani dhe, sipas mediave italiane, dyshja e ka gjetur një zgjidhje ekonomike më në fund, transmeton Gazeta Express.

Inzaghi ishte i lidhur me Lazion deri më 30 qershor, prandaj i duhej së pari ta shkëpuste marrëveshjen me klubin nga kryeqyteti italian për të qenë në gjendje të nënshkruante për Interin.

Kjo telashe është tejkaluar tashmë mes Lotitos dhe Inzaghit, sipas mediave italiane.

Inzaghi do të jetë në gjendje të nënshkruajë marrëveshje me Interin dhe mbërritja e tij në Giuseppe Meazza do të njoftohet nesër.

Ai ka arritur ujdi dyvjeçare me Interin me pagë vjetore prej 4 milionë eurove dhe do ta nisë punën në Meazza më 1 korrik.

Trajneri 45-vjeçar i kaloi pesë vitet e fundit në stolin e Lazios dhe e fitoi Kupën e Italisë një herë dhe Superkupën e Italisë dy herë.