Intervista/Osmani: Shqiptarët në MPJ të përfaqësuar mbi 30%

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një intervistë ekskluzive për Demokracia.com ka folur për marrëdhëniet Prishtinë-Shkup, për tabutë politike që janë thyer dhe për përfshirjen e diplomatëve shqiptarë në shërbimin e jashtëm. Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut ka thënë se pa politika të mirëfillta për kultivimin e fqinjësisë së mirë, nuk mund të fitohet as rol në politikën ndërkombëtare. Osmani për Demokracia.com ka deklaruar se idetë për shtete të mëdha mono-etnike në rajon e izolojnë këtë hapësirë nga zhvillimet gjeopolitike dhe e shndërrojnë rajonin në një provincë në politikën globale.

Jeni ministri i parë shqiptar, që udhëhiqni politikën e jashtme të Maqedonisë së Veriut. Si ndjeheni në këtë pozitë?

Bujar Osmani: Me marrjen e postit të ministrit të parë shqiptar të Punëve të Jashtme është thyer një tabu që ka ekzistuar deri më tani se në disa pozita udhëheqëse nuk mund të ketë shqiptarë. Ardhja në këtë post është një realizim politik se shqiptarët mund të udhëheqin denjësisht çdo pozitë në këtë shtet, siç ishte edhe Kryetari i Kuvendit, Ministri i Financave, Ministri i Punëve të Jashtme e pse jo edhe në të ardhmen Kryeministri ose Kryetari i shtetit. E kam deklaruar disa herë se me vetë faktin e ardhjes në këtë ministri përmbyllet një synim politik, ndërsa puna vazhdon në mënyrë profesionale të prezantimit të shtetit dhe kryerjes së të gjitha detyrave shtetërore në nivel më të lartë.

Cilat janë prioritetet tuaja në politikën e jashtme dhe në forcimin e perspektivës euroatlantike të Maqedonisë së Veriut?

Bujar Osmani: Me vetë marrjen e detyrës së Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut kam publikuar pesë prioritetet me peshë bartëse të mandatit tim dhe drejtues i diplomacisë në periudhën e ardhshme. Si prioritet i parë dhe më i rëndësishëm janë marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, të cilat njëherë janë parakusht për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. Prioritet i dytë është obligimi rajonal i vendit për krijimin e stabilitetit afatgjatë dhe deballkanizimin e rajonit. Bashkësia ndërkombëtare i ka përkushtuar shumë vëmendje gjatë periudhës së kaluar këtij rajoni dhe ne kemi për obligim të kthejmë këtë besim me kontribut pozitiv edhe në krijimin e stabilitetit të përgjithshëm rajonal. Në rajon ende ka çështje të hapura të cilat na tangojnë të gjithëve dhe paraqesin prioritet të rëndësishëm ndërkombëtar. Ne, medoemos duhet të angazhohemi për të qenë partnerë të qëndrueshëm të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan, vend ku ata do të mund të mbështeten për të zbatuar dhe promovuar stabilitetin rajonal. Prioritet i veçantë është edhe formimi i kornizës negociuese dhe fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Metodologjia e re për negociata parasheh prani të shtuar bilaterale dhe mbikëqyrje jo vetëm të Komisionit Evropian, por edhe nga çdo vend anëtar – në veçanti. Një nga ndryshimet kyçe është pikërisht udhëheqja politike, udhëheqja e procesit të negociatave, ku barra më e madhe bie mbi Ministrinë e Punëve të Jashtme. Edhe pse formalisht, në tavolinë bisedimet zhvillohen ndërmjet Qeverisë dhe Komisionit Evropian, megjithatë vendimet në mënyrë të pavarur i marrin vendet anëtare të Unionit, për çka është i nevojshëm rrjet i gjerë i prezencës dhe i aktiviteteve, me qëllim të prezencës politike edhe në vetë negociatat. Në kuadër të këtij procesi, ne do të vendosim sistem të një lloj paralajmërimi të hershëm të pikave kritike të negociatave, si në Bruksel, ashtu edhe ndërmjet vendeve anëtare, me çka Qeverisë do t’i sigurojmë hapësirë për të parashikuar me kohë të të gjitha sfidave të negociatave.

Me ardhjen tuaj në krye të diplomacisë, a do të ketë një marrëdhënie më të afërt me Republikën e Kosovës? A keni ndonjë plan konkret të forcimit të këtij bashkëpunimi?

Bujar Osmani: Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës karakterizohen nga një shkallë e lartë e miqësisë dhe përkushtimit të ndërsjellë për ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Qëllimi është që bashkëpunimi të vazhdojë të promovohet mbi baza solide, të cilat sigurojnë stabilitet dhe prosperitet për qytetarët, si dhe angazhim aktiv në ndërtimin dhe justifikimin e perspektivës evropiane të vendeve tona dhe të gjithë rajonit tonë. Marrëdhëniet tona të ngushta kanë marrë një formë të re të bashkëpunimit, duke dërguar 44 anëtarë të Armatës së Maqedonisë së Veriut në përbërjen e KFOR-it, që gjithsesi paraqet kontribut për stabilitetin e mëtejshëm të Kosovës, por edhe një akt të besimit të thellë midis dy vendeve. Të dy vendet kanë rënë dakord mbi nevojën për intensifikimin e dialogut politik, thellimin e bashkëpunimit tanimë intensiv ekonomik dhe tregtar, komunikimin në infrastrukturë dhe lidhjet e përgjithshme midis dy vendeve. MPJ i përshëndet hapat dhe marrëveshjet më të fundit midis Prishtinës dhe Beogradit në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve ekonomike dhe me këtë edhe hapjen e rrugës për zgjidhjen e çështjeve të tjera me interes për të dy vendet dhe rajonin në tërësi. Së fundmi, Republika e Kosovës ka hapur Konsullatë të Përgjithshme në Strugë, duke i forcuar edhe më shumë raportet mes dy vendeve. Gjatë mandatit tim, në tetor 2020 kam realizuar takim me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila shoqëronte Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë vizitës së tij zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Pas formimit të Qeverisë së re të Kosovës, pres të bëj vizitë zyrtare në Prishtinë dhe sigurisht të bisedojmë për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët midis Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Kosovës.

Si janë të përfaqësuara komunitetet në politikën e jashtme, në misionet diplomatike, veçanërisht shqiptarët?

Bujar Osmani: Përfaqësimi i shqiptarëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme është rreth 21 për qind, ndërsa së fundmi kemi pranuar edhe 20 shqiptarë nga Ministria e Sistemit Politik, të cilët janë në përfundim të procedurave për fillim me punë. Me këto punësime të reja, do të rritet edhe më shumë niveli i shqiptarëve duke arritur mbi 25 për qind. Në nivel të shefave të Përfaqësive Diplomatike Konsullore, nga gjithsej 43 ambasadorë dhe konsuj gjeneral, 26 prej tyre janë të kombësisë maqedonase, 13 janë shqiptarë, 2 të komunitetit turk dhe 2 të komunitetit malazez, ose e përkthyer në përqindje i bie që të jenë mbi 30 për qind shqiptarë.

Në Ballkan janë rindezur idetë e krijimit të shteteve të mëdha mono-etnike. Cili është pozicioni i Maqedonisë së Veriut, si e shihni integrimin e shqiptarëve dhe si e shihni rajonin tonë pas një dekade?

Bujar Osmani: Idetë e krijimit të shteteve të mëdha mono-etnike nuk janë shuar asnjëherë në Ballkan. Por, sot politika moderne ka sfida tjera. Sot kryefjalë në diplomaci është dialogu politik dhe bashkëpunimi, përfshirë këtu organizatat multilaterale, iniciativat rajonale dhe sfida euro-integruese. Këto sfida kërkojnë bashkëpunim më të theksuar dhe imponojnë dialogun. E mira e përgjithshme dhe paqja është e domosdoshme dhe gjithë kjo nuk duhet të krijojë hapësirë për mendime dhe ide që shuajnë vullnetin për kooperim dhe nuk janë produktive për kultivimin e fqinjësisë së mirë. Ndërsa, kujtoj se, pa politika të mirëfillta për kultivimin e fqinjësisë së mirë, ju nuk mund të keni as rol në politikën ndërkombëtare. Idetë për shtete të mëdha mono-etnike në rajon e izolojnë këtë hapësirë nga zhvillimet gjeopolitike dhe e shndërrojnë rajonin në një provincë në politikën globale.

Ju  keni luajtur rol të madh në arritjen e marrëveshjes së Prespës. A ka ndonjë gjë që nuk dihet ende në opinion rreth saj?

Bujar Osmani: Marrëveshja e Prespës është shembulli i arritjes në diplomacinë bashkëkohore. I gjithë procesi, që nga negociatat, ka qenë tejet transparent dhe i hapur. Kjo marrëveshje është marrë si shembull në shumë raporte ndërkombëtare. Edhe mediat botërore e kanë cilësuar si një shembull të ndritur, që duhet të ndiqet dhe të merret mësim nga shumë palë që kanë konteste të kësi lloji. Marrëveshja i ka hapur shumë rrugë vendit tonë dhe Maqedonia e Veriut ka rol tejet më të avancuar në politikën ndërkombëtare. Prandaj, me suksesin e arritjes së marrëveshjes, duhet vazhduar edhe zbatimi i së njëjtës.

A mendoni që marrëveshja me Bullgarinë është e arritshme?

Bujar Osmani: Me Republikën e Bullgarisë kemi nënshkruar Marrëveshjen e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit, e cila na obligon edhe në bashkëpunim politik, edhe në bashkëpunim të ekspertëve. Vetëm përmes një qasjeje të hapur, të sinqertë dhe pozitive në përballjen e fakteve historike me realitetin e sotëm, ne mund t’i kapërcejmë dallimet dhe të identifikojmë pikat e përbashkëta që na lidhin.