Kusari për Qeverinë Hoti: “Qeverisja Akademike” e solli Kosovën në krye të listës së zezë të vdekjeve në nivel botëror

Deputetja Mimoza Kusari e ka komentuar situatën me pandeminë në Kosovë, duke thënë se në vend qytetarët e kanë “terr e zi brenda në mes të ditës së verës”, raporton Gazeta Express.

“Kur e themi ne të cilët jemi aktiv në politikë, na sulmojnë, na fyejnë dhe na quajnë me emra. Por tani kur e publikon këtë lajm një medium si Bloomberg nga ShBA, athua cila është përgjigja e kujdestarëve të fjalës dhe mendimit kritik?! Shteti me numrin më të lartë të vdekjeve për 1 milion banorë për tërë javën e fundit të Gushtit jemi ne, Kosova. Pas kemi lënë shtetet të cilat kanë sisteme dikatoriale, varfëri, trafikantë të drogës dhe të qenieve njerëzore”, ka shkruar Kusari në Facebook.

Sipas saj, emëruesi i vdekjeve nga virusi për të gjitha shtetet dhe Kosovën në top listë është menaxhimi katastrofal i pandemisë bashkë me nivelin e lartë të krimit dhe korrupsionit shoqëruar me arrogancën e udhëheqësve shtetëror të cilët injorojnë profesionistët dhe vendimet profesionale duke i zëvendësuar ato me vendime politike oportune.

 “Këtu e solli vendin “Qeverisja Akademike” – në krye të listës së zezë të vdekjeve në nivel botëror”, ka shkruar ajo.